Julian Shehu është padyshim lojtari shqiptar me formën më të mirë.
Grumbullimi në Kombëtare e ka rritur së tepërmi në personalitet, çka po jep efektet e veta edhe në fushën e lojës.
Mesfushori shqiptar ka qenë edhe një herë tjetër protagonist në fitoren e skuadrës së tij.
Vidzev Lodzi ka mposhtur sot me shifrat 3-0 Katovicen. Goli i parë ishte vendimtar në fitoren e Lodzit dhe këtu merita më e madhe i shkon pikërisht Shehut.
Ky i fundit dha një asist si me telekomandë për Bergierin në minutën e 18, kur me portën e zbrazur e kishte si një lojë fëmijësh shënimin e golit.
Në minutën e 47 ish-lojtari i Laçit e dërgoi vetë topin në rrjetë, por pas rishikimit në monitorin e VAR-it arbitri e anulloi për prekje të topit me dorë. Një vendim ky që më pas ngriti mjaft polemika.
Ndërkohë dy golat e tjerë për vendasit u shënuan vetëm në fundin e ndeshjes, më konkretisht në minutën e 87 dhe në minutën e fundit të kohës së rregullt. Shehu ndihmoi sërish ekipin e tij të merrte tre pikët, duke konfirmuar edhe një herë tjetër veten si një pikë kyçe e skuadrës polake.