Reagon publikisht: Ramë dakord, nuk e kuptoj pse klubi refuzoi ofertën

- Bota Sot

Reagon publikisht: Ramë dakord, nuk e kuptoj pse klubi refuzoi ofertën

Lukman nuk fshihet më. Kërkon me çdo kusht transferimin te Interi dhe këtë tashmë e ka bërë të qartë edhe publikisht nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Sulmuesi nigerian, i inatosur pasi Atalanta refuzoi ofertën e fundit të zikaltërve, ka bërë të qartë nëpërmjet postimit të tij se kërkon me çdo kusht të transferohet dhe ka insistuar se kishte pasur një akord me bergamaskët që nuk e kishin respektuar atë.

"Gjatë tre viteve të fundit te Atalanta, kam dhënë gjithçka nga vetja. Jo vetëm si lojtar, por edhe si person. Gjithmonë e kam veshur këtë fanellë me krenari dhe jam përpjekur ta përfaqësoj më së miri klubin dhe qytetin e Bergamos me zemër, pasion dhe përkushtim.

Erdha këtu me shpresën për ta ndihmuar këtë klub të veçantë të rritet dhe së bashku kemi krijuar kujtime që do t’i mbaj me vete përgjithmonë. Fitimi i Europa League dhe festimi i asaj nate në Dublin, krah për krah me shokët e mi të ekipit dhe tifozët tanë, ishte një nga momentet më të mëdha dhe më kuptimplote të karrierës sime. Edhe sot, më vijnë drithërima kur e kujtoj.

Atalanta, dhe veçanërisht tifozët e saj, janë bërë pjesë e imja. Që nga dita e parë, jam ndjerë si në shtëpi dhe gjithmonë jam përpjekur ta kthej këtë dashuri – edhe në momentet kur, prapa kuintave, nuk ishte e lehtë.

Kjo është pikërisht ajo që e bën kaq të vështirë shkrimin e këtyre fjalëve. E kam dashur çdo moment, por ndiej se tani, pas tre vitesh të mrekullueshme në Bergamo, ka ardhur koha e duhur për të kthyer faqen dhe për të nisur një aventurë të re.

Në të kaluarën, disa klube i janë afruar Atalantës, por unë gjithmonë kam zgjedhur të qëndroj besnik. Megjithatë, unë dhe pronarët e klubit ramë dakord se tani ishte koha e duhur për t’u larguar dhe më është thënë qartë se, nëse do të merrej një ofertë e vlefshme, do të lejohesha të largohesha.

Edhe pse tani ka mbërritur një ofertë që përputhet me marrëveshjen tonë, për fat të keq, klubi po e refuzon atë për arsye që nuk i kuptoj.

Për këtë arsye, dhe pas muajsh premtimesh të thyera dhe asaj që e perceptoj si trajtim të padrejtë ndaj meje – si njeri dhe si futbollist – ndiej, me keqardhje, se nuk kam zgjidhje tjetër veçse të flas për atë që besoj se është e drejtë. Mund të konfirmoj se kam paraqitur zyrtarisht një kërkesë transferimi.

Edhe në momentet më të vështira – shumë prej të cilave kam zgjedhur t’i mbaj private dhe konfidenciale – gjithmonë kam vënë klubin, tifozët dhe ekipin në radhë të parë, duke shpresuar se nuk do të arrihej kurrë deri këtu. Por për fat të keq, besoj se nuk kanë mbetur alternativa.

Tifozëve – zemrës që rreh të këtij klubi – dua t’u them këtë: Më vjen shumë keq që ka ardhur puna deri këtu. Shpresoj ta kuptoni vështirësinë ekstreme të kësaj situate. Për mua, është thjesht çështje e të mbrojturit atë që besoj se është e drejtë.

Mbështetja juaj ka qenë gjithmonë e jashtëzakonshme dhe lidhja që kemi krijuar është diçka e veçantë.

Shpresoj se mund të punojmë së bashku me klubin për të gjetur një zgjidhje miqësore për të gjitha palët e përfshira sa më shpejt të jetë e mundur", reagon futbollisti.



Lexoni të gjitha në Bota Sot