Serbi do disiplinë nga skuadra shqiptare

- Bota Sot

Serbi do disiplinë nga skuadra shqiptare

Elbasani po zhvillon një nga periudhat më të ngarkuara të përgatitjes fizike dhe taktike.

Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka vendosur të mos lëshojë aspak ritmin në këtë fazë të rëndësishme verore, duke udhëhequr skuadrën me një qasje të drejtpërdrejtë, të rreptë dhe pa tolerime.

Të gjithë futbollistët janë vënë përballë një “filtri” të ashpër profesional, ku disiplina, serioziteti dhe angazhimi janë parakushte për të mbijetuar në formacion.

RRITET PRESIONI NË FUSHË – Në seancat e fundit, tonet janë ndjeshëm më të larta. Trajneri dhe ndihmësit e tij kërkojnë perfeksion në çdo veprim, nga organizimi i fazës mbrojtëse te lëvizja pa top në ndërtim. Gabimet nuk tolerohen dhe çdo shpërqendrim apo ngadalësi vihet menjëherë në pah. Loja në Superiore kërkon intensitet të lartë dhe përqendrim të vazhdueshëm dhe kjo është e dukshme në mënyrën si po menaxhohen ditët e fundit të përgatitjeve.

NGARKESA MAKSIMALE – Stërvitja e Elbasanit është gjithçka përveçse e lehtë. Ngarkesa fizike ka shkuar në maksimum, me dy seanca në ditë që shpesh kalojnë edhe 90 minuta secila. Në orët e paradites dominon aspekti fizik, vrapime të gjata, sprintime dhe punë në palestër, ndërsa pasdite kalojnë në aspektin teknik dhe taktik, me skema loje dhe ushtrime situatash ndeshjeje. Lojtarët janë të vetëdijshëm se këto ditë do të bëjnë diferencën në vazhdimësi të sezonit, por ritmi që kërkohet është tejet i lartë. Disa prej tyre, po hasin vështirësi për të përthithur menjëherë kërkesat e trajnerit, por nuk kanë shumë kohë në dispozicion për t’u përshtatur.

GARA PËR FORMACIONIN – Në këtë klimë me ritëm të lartë, ka nisur natyrshëm edhe gara e brendshme për një vend në formacionin titullar. Gvozdenoviç i ka bërë të qartë grupit që askush nuk ka vend të garantuar dhe gjithçka fitohet në fushë.

Kjo ka shtuar konkurrencën në çdo repart, sidomos në mesfushë dhe fazën sulmuese, ku prurjet e reja kanë sjellë më shumë alternativë. Nga ana tjetër, pjesa e “bërthamës” së skuadrës që mbajti peshën sezonin e kaluar është më e ambientuar me kërkesat e stafit dhe po mundohet të ruajë pozitat.



Lexoni të gjitha në Bota Sot