Kryeziu akuzon Enver Hasanin: Ti je fajtori kryesor për gjendjen e krijuar në Kosovë

- Gazeta e Prizrenit

Kryeziu akuzon Enver Hasanin: Ti je fajtori kryesor për gjendjen e krijuar në Kosovë

Ish-gjyqtari i Kushtetueses Kadri Kryeziu ka akuzuar ish-kreun e institucionit më të lartë juridik të vendit Enver Hasanin për gjendjen në Kosovë, pas dështimit të mos konstituimit të legjislaturës së nëntë, duke thënë se ai është fajtori kryesor pse vendi sot duhet të funksionojë me paqartësi të paprecedentë juridike.


Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Kryeziu shkruan se vendi ndodhet në një situatë të paprecedentë juridike për shkak të aktgjykimeve të Hasanit, të cilat, sipas tij, kanë sjellë një deformim të frymës kushtetuese dhe krijimin e një “kushtetute paralele”.

“Ti je fajtori kryesor pse Republika e Kosovës sot duhet të funksionojë në këtë paqartësi të paprecedentë juridike, që jo pak herë rrëshqet deri në kufijtë e absurdit juridik”, ka shkruar Kryeziu.

Tutje ai shkruan se Kushtetuta duhet interpretuar në formën që e mundëson funksionimin sa më të lehtë të institucioneve dhe jo në formën që i paralizon ato.

“Ti je ithtar i paralizës institucionale, një amullie të pafund ku të gjithë do të lodheshin dhe ashtu të sfilitur do të detyroheshin të paraqiten te Baba për të kërkuar mend e ndihmë. Ky je ti. Ata që të njohin mirë do të më japin të drejtë në pohimin që ti gjen kënaqësi në krijimin e katrahurave të tilla që prodhojnë bllokada dhe testojnë limitet e durimit politik. Mund të vë bast që ti e ëndërron skenarin ku Albin Kurti detyrohet të vijë te ti që pastaj ti ta nxjerrësh nga situata”, ka shkruar Kryeziu./IO



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit