Gjykata Themelore në Gjilan dhe më pas Gjykata e Apelit në Prishtinë kanë liruar nga të gjitha akuzat mjekun Iljasa Fazliu, i cili ishte akuzuar për veprën penale të “Trajtimit të pa ndërgjegjshëm mjekësor” sipas nenit 254 të KPRK-së.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, të datës 30 tetor 2024, është konstatuar se mungojnë provat që do të vërtetonin se i akuzuari kishte vepruar në mënyrë të pakujdesshme në trajtimin e një pacienti në ordinancën “AAR Logo Plus” në Gjilan.
Për rrjedhojë, ai është liruar nga akuza.
Aktgjykimi është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit më 25 korrik 2025, duke refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Apeli ka konstatuar se veprimet e pretenduara të mjekut nuk përbëjnë vepër penale, dhe se nuk është vërtetuar qëndrimi juridik i padisë në kontekst penal. Kolegji gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Violeta Hoxha Rugova (kryetare), Skender Çoçaj dhe Arsim Kransiqi Prenaj, thekson se shpenzimet dhe kontestet që mund të ngriten në këtë rast mund të adresohen vetëm përmes procedurës civile.