Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, konfirmon arrestimin e ish-drejtorit rajonal të Policisë

- Gazeta e Prizrenit

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, konfirmon arrestimin e ish-drejtorit rajonal të Policisë

Gjatë një aksioni të gjerë të udhëhequr nga Prokuroria e Prizrenit, Inspektorati Policor i Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës kanë arrestuar katër persona të dyshuar, ndërsa kanë realizuar edhe katër bastisje në katër lokacione.

Njëri nga të arrestuarit është edhe ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

Krasniqi dyshohet për veprën penale të detyrimit ndërsa lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

“Po mund të ju konfirmoj se është arrestuar dhe i njëjti me urdhër është dërguar në ndalim për 48 orë për veprën penale të detyrimit”- tha kryeprokurori Kryeziu.

Prokuroria Themelore në Prizren njoftoi sot se në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës ka ndërmarrë sot, më 04.08.2025, një aksion të koordinuar, që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në Prizren dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

Ky aksion është rezultat i një hetimi disamujor i IPK-së në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

“Në mesin e personave të arrestuar gjendet edhe një zyrtar i lartë policor me gradën kolonel, ndaj të cilëve ekziston dyshimi i arsyeshëm për përfshirje në veprat penale të detyrimit dhe shmangies nga tatimi, të sanksionuara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.

Aktualisht, hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore në terren, në funksion të zbardhjes së plotë të çështjes dhe grumbullimit të provave relevante.

“Gjithashtu IPK, si pjesë e procedurës administrative ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor”-thuhet tutje në njoftim.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit