Shkëndija e Tetovës është në prag të një tjetër mbrëmjeje evropiane të madhe. Kampionët e Maqedonisë së Veriut do të zbresin në fushë sonte në stadiumin “Tose Proeski Arena” në Shkup, ku do të përballen me Qarabag-un nga Azerbajxhani, në kuadër të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Të udhëhequr nga trajneri Jeton Beqiri, kuqezinjtë synojnë të vazhdojnë ëndrrën evropiane, pas eliminimit të bujshëm të Steaua Bukureshtit në raundin e mëparshëm. Me moralin në kulm dhe përkrahjen e tifozëve të zjarrtë, Shkëndija do të kërkojë një rezultat pozitiv që do t’i hapte rrugën për më shumë lavdi në kontinent.
Edhe pse kualifikimi në një fazë grupore tashmë është i sigurt, të paktën në Conference League, ekipi nga Tetova nuk ka ndërmend të ndalet këtu. Sytë janë drejt një suksesi edhe më të madh: fazës së grupeve të Champions League, një arritje historike për klubin.
Ndeshja nis sonte në orën 20:00 dhe pritet me interes të madh nga tifozët e futbollit në mbarë rajonin.