“Që i vogël jam frymëzuar nga Cristiano Ronaldo me ambicien e tij për t’u përmirësuar gjithmonë. Në rolin tim, referenca është Cancelo, një lojtar ofensiv, edhe pse është mbrojtës i djathtë. Edhe unë kam karakteristika të ngjashme”.
Me këto fjalë është prezantuar Joao Mario, mbrojtësi i ri i djathtë i Juventusit, i cili foli për herë të parë si lojtar bardhezi nga grumbullimi në Herzogenaurach. Juventusi ndodhet në Gjermani, në qendrën stërvitore të “Adidas”, aty ku bardhezinjtë zhvilluan një pjesë të përgatitjeve edhe verën e kaluar, nën drejtimin e Thiago Motta.
Joao Mario pritet të ketë një rol të rëndësishëm në këtë Juventus, edhe për shkak të vendimeve të klubit në merkato. “Jam duke u integruar lehtësisht, – shtoi portugezi. – Bashkatdhetarët e mi, Conceiçao dhe Djalo, po më ndihmojnë shumë. Komunikoj me ta dhe me pjesën tjetër të ekipit për të kuptuar më mirë dinamikat e klubit”.
Ish-lojtari i Portos, i ardhur në marrëveshjen që e dërgoi Alberto Costa sërish në Portugali, aktualisht është i vetmi mbrojtës i djathtë me rol natyral në skuadrën e Juventusit. Ndërkohë, Timothy Weah nuk do të jetë më pjesë e projektit bardhezi. Ai ka lënë grumbullimin në Gjermani për të fluturuar drejt Francës, ku do të firmosë me Olympique Marseille.
Klubi francez ka marrë miratimin përfundimtar për huazimin me detyrim blerjeje, një marrëveshje totale rreth 18 milionë euro, përfshirë bonuset. Weah do të bashkohet me trajnerin Roberto De Zerbi, ndërsa Juventusi tani do të kërkojë një tjetër mbrojtës të djathtë për ta alternuar me Joao Mario.