Disiplina i bllokon afatin kalimtar Tiranës dhe Skënderbeut, paralajmëron Dinamon

- Bota Sot

Disiplina i bllokon afatin kalimtar Tiranës dhe Skënderbeut, paralajmëron Dinamon

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka marrë vendime të forta ndaj disa klubeve të njohura të futbollit shqiptar, duke ndëshkuar Tiranën dhe Skënderbeun me ndalim të regjistrimit të lojtarëve të rinj për tre periudha merkatoje, ndërsa Dinamo City është vendosur nën afat paralajmërues për shlyerjen e detyrimeve ndaj ish-trajnerit Dritan Mehmeti dhe përgatitësit Corrado Saccone.

Klubi bardheblu është penalizuar rëndë për moszbatimin e tre vendimeve të ndryshme të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve dhe Komisionit të Kompensimit për Trajnim. Për secilin rast, Disiplina ka vendosur bllokimin e regjistrimeve të lojtarëve deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve financiare. Kështu, Tirana nuk do të mund të afrojë asnjë lojtar të ri për tre merkato radhazi.

Edhe klubi korçar është ndëshkuar me të njëjtën masë – tre periudha të bllokuara të merkatos – për mosrespektimin e tre vendimeve të mëparshme të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, të marra gjatë viteve 2023 dhe 2024. Klubi duhet të shlyejë borxhet për të rikthyer të drejtën për të regjistruar lojtarë të rinj.

Ndryshe nga Tirana dhe Skënderbeu, Dinamo City ka marrë një paralajmërim zyrtar, me një afat 30-ditor për të përmbushur detyrimet financiare të përcaktuara nga vendimet e Komisionit të Posaçëm të Kompensimit për Trajnim, në favor të ish-trajnerit Dritan Mehmeti dhe përgatitësit fizik Corrado Saccone. Nëse nuk ekzekutohet vendimi brenda afatit, edhe ky klub rrezikon ndëshkime të rënda.

Të gjitha vendimet e marra hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa klubet kanë të drejtën e ankimit brenda tre ditësh në Komisionin e Apelit. Disiplina ka dhënë një sinjal të qartë: moszbatimi i detyrimeve financiare nuk do të tolerohet më.



Lexoni të gjitha në Bota Sot