Marcus Rashford është një nga fytyrat e reja të Barcelonës për sezonin 2025-26.
Sulmuesi anglez foli me median mbi turneun e blaugranave në Japoni dhe Kore.
Sulmuesi anglez u duk i qetë në lidhje me çështjen e transferimit të tij.
Kur u pyet nëse ishte i shqetësuar, ish-futbollisti i Manchester United deklaroi:
“Jo, mendoj se është diçka që klubi duhet ta zgjidhë dhe jam i bindur se do të ndodhë. Jam i përqendruar në stërvitje dhe në përgatitje për fillimin e sezonit.”
Rashford ka mbërritur te Barcelona i gatshëm për ta ndryshuar karrierën e tij dhe shprehu ambicien e tij për të arritur suksese me klubin në sezonin e ri.
“Të gjithë duan të fitojnë Ligën e Kampionëve. Viti i kaluar ishte fantastik dhe tani duhet të përpiqemi ta ripërsërisim dhe ta përmirësojmë duke e fituar Championsin”, shtoi sulmuesi i Barcelonës.
Rashford iu përgjigj me të qeshur pyetjes se sa gola shpreson të shënojë në vitin e tij të parë te kampionët në fuqi të Spanjës.
“Do të shënoj 100 gola”, tha ai me shaka teksa dje e gjeti golin e parë në fanellën e gjigantit katalunas, përcjell Panorama.
Batutat lënë mënjanë, Rashford theksoi: “Do të përpiqem të shënoj sa më shumë që të mundem. E di që do të jetë ndryshe për mua të luaj në një vend tjetër dhe në një stil tjetër futbolli, por e pranoj sfidën. Do të përpiqem të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur dhe të ndihmoj ekipin.”
Në një nivel individual, sulmuesi e pranoi se mund të luajë në pozicione të ndryshme, kjo në varësi të vendimeve që do të marrë trajneri Hansi Flick.