Rocchi shpall risinë e madhe

- Bota Sot

Rocchi shpall risinë e madhe

Një revolucion i vërtetë është gati të përfshijë botën e arbitrimit italian, duke nisur nga Serie C.

Gjatë grumbullimit parasezonal të AIA-s në Cascia, u njoftuan risi të rëndësishme, duke filluar me futjen e “VAR-it me thirrje” në kategorinë e tretë profesioniste. Një inovacion që premton të ndryshojë marrëdhënien mes gjyqtarëve, trajnerëve dhe vendimeve në fushë. Daniele Orsato, përgjegjës i CAN C, theksoi vlerën formuese të kësaj risie:

“Sezoni do të kërkojë gjyqtarë shumë të përgatitur. Këto ditë kemi punuar shumë dhe iu them gjyqtarëve të mi të mos mendojnë menjëherë për Serie A apo B, por të jenë gati për ta merituar të arrijnë atje.

Gjyqtarët duhet të heqin frikën e gabimit. Shpresa është që të shohim më pak protesta në fushë. Trajnerët, duke pasur dy mundësi për të kërkuar ndërhyrjen e videos, mund të marrin drejtësi në rast gabimesh”.

Edhe në Serie A pritet një ndryshim i rëndësishëm. Siç njoftoi Gianluca Rocchi, përgjegjës i CAN A, gjyqtarët po përgatiten të shpjegojnë vendimet e VAR-it drejtpërdrejt nga stadiumet, në kohë reale:

“Duam të rrisim transparencën. Numri i gjyqtarëve është reduktuar pikërisht për të investuar në cilësi. Është e pamundur të kemi gjithmonë gjykime të njëtrajtshme, sepse çdo episod është ndryshe dhe çdo gjyqtar është njeri, jo makinë”.

Gjatë grumbullimit, gjyqtarët e Serie A po stërviten me altoparlantë në fushë, duke simuluar situata loje dhe mësuar t’i komunikojnë vendimet e tyre me zë të lartë, edhe për tifozët në tribuna.

Rocchi pastaj sqaroi qëndrimin e tij për një temë tjetër delicate, intervistat me gjyqtarët pas ndeshjeve: “Nuk jam dakord. Pas ndeshjes ata nuk janë të kthjellët, do të duheshin të paktën 12 orë për të analizuar dhe shpjeguar me racionalitet”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot