Pas transferimit të tij të bujshëm te Monaco, Paul Pogba ka vendosur të hapë një faqe të re në jetën e tij, këtë herë jashtë fushës së lojës. Mesfushori francez ka njoftuar krijimin e markës së tij personale të bizhuterive, të quajtur "Unbreakable", që në shqip do të thotë i pathyeshëm.
Sipas asaj që raporton LÉquipe, Pogba do të hapë në shtator një ‘showroom’ në qytetin e Monakos, në bashkëpunim me markën Monte-Carlo Diamonds, ku do të prezantojë koleksionin e tij të parë. Emri i koleksionit nuk është rastësor: ai është frymëzuar nga vështirësitë që Pogba ka përjetuar në vitet e fundit, përfshirë pezullimin 18-mujor për përdorim të substancës DHEA dhe çështjen e bujshme të shantazhit, për të cilën vëllai i tij, Mathias Pogba, u dënua me tri vite burg, dy prej të cilave me kusht.
"Kemi kaluar momente shumë të vështira, por kemi qëndruar të bashkuar.
Këtë duam ta përcjellim përmes koleksionit, që askush të mos ndihet vetëm në përballjen me sfidat. Ajo që ka rëndësi është të ngrihesh sërish", ka thënë Zulay Pogba, bashkëshortja e futbollistit, për gazetën franceze ‘Var-Matin’.
Bizhuteritë janë dizajnuar në bashkëpunim me Elke Berr, themeluese e një shtëpie të njohur bizhuterish zvicerane, me të cilën familja Pogba ka krijuar lidhje që prej më shumë se një viti e gjysmë.
Me këtë hap të ri, Paul Pogba dëshmon se, edhe pas goditjeve të forta, vullneti dhe kreativiteti mund të hapin rrugë të reja, duke i kthyer plagët personale në frymëzim artistik.