Kundër transferimit të mesfushorit

- Bota Sot

Kundër transferimit të mesfushorit

Thomas Partey, mesfushor ganez që ka mbetur pa skuadër pas përfundimit të kontratës me Arsenalin, është në qendër të një polemike të madhe në Spanjë.

Tifozët e Villarrealit kanë nisur një peticion publik për të kundërshtuar transferimin e tij të mundshëm, për shkak të akuzave të rënda për krime seksuale ndaj tij.

Sipas medieve britanike, Partey është i akuzuar për pesë raste përdhunimi ndaj dy grave dhe një rast sulmi seksual ndaj një të trete, ngjarje që thuhet se kanë ndodhur gjatë viteve 2021 dhe 2022. Futbollisti u paraqit sot në mëngjes para gjykatës së Westminsterit në Londër dhe u la i lirë me kusht, ndërsa pritet të dalë në gjyq deri në fund të këtij viti.

Gjykatësi Paul Goldspring ka vendosur disa masa kufizuese për Partey-n: ndalim kontakti me viktimat, njoftim të menjëhershëm për çdo ndryshim të vendbanimit dhe detyrim për të informuar policinë për çdo udhëtim ndërkombëtar,  siç është ai që pritet ta çojë mesfushorin drejt Villarrealit në orët në vijim.

Por kjo lëvizje ka shkaktuar zemërim te tifozët e Villarrealit, të cilët përmes një peticioni në Change.org i kanë kërkuar klubit të tërhiqet nga çdo marrëveshje me Partey-n. “Një lojtar i akuzuar për krime të tilla nuk duhet të ketë asnjë lidhje me një klub si Villarreal,” thuhet në tekstin e peticionit. “Do të ishte një shuplakë në fytyrë për të gjithë tifozët tanë dhe, mbi të gjitha, për viktimat e abuzimeve seksuale kudo në botë, që sërish do të shihnin si injorohen akuza të rënda në emër të parasë dhe statusit.”

Klubi nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar, ndërsa situata mbetet shumë e ndjeshme, me presion në rritje nga opinioni publik dhe mediet.



Lexoni të gjitha në Bota Sot