‘Camp Nou’ rihapet me vetëm 30 mijë tifozë në ndeshjen e parë të La Liga-s

- Bota Sot

‘Camp Nou’ rihapet me vetëm 30 mijë tifozë në ndeshjen e parë të La Liga-s

Rihapja e shumëpritur e ‘Spotify Camp Nou’ do të ndodhë me kufizime të dukshme. Barcelona ka konfirmuar se ndeshja e parë në La Liga në stadiumin e rikonstruktuar, më 14 shtator ndaj Valencias, do të luhet me një kapacitet maksimal prej 30 mijë spektatorësh.

Fillimisht, klubi katalanas kishte planifikuar që kjo sfidë të zhvillohej me 60 mijë tifozë në tribuna, por kjo ide tashmë është përjashtuar për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet lokale.

Barcelona tashmë i ka dorëzuar Bashkisë së qytetit kërkesën për miratimin e licencës së hapjes së stadiumit në fazën e parë, me një kapacitet të kufizuar në 30 mijë vetë. Kjo kërkesë vlen për dy ndeshjet e para si vendase në kampionat: kundër Valencias dhe një javë më pas ndaj Getafes.

Presidenti Joan Laporta dhe drejtuesit e klubit presin që përgjigjja zyrtare nga bashkia të vijë brenda javës së ardhshme.

Pas kësaj faze fillestare, është planifikuar një fazë e dytë në të cilën kapaciteti do të rritet në 45 mijë vende, për ndeshjet e ardhshme të La Liga-s dhe për ato të Champions League. Megjithatë, kjo rritje varet nga përparimi i punimeve dhe miratimi përkatës nga autoritetet.

Një tjetër shqetësim për klubin është shorti i Champions League, pasi ndeshja e parë e fazës së grupeve zhvillohet mes 16 dhe 18 shtatorit, vetëm disa ditë pas ndeshjes kundër Valencias. Nëse Barcelona do të luajë si vendase në atë javë, do të jetë e detyruar të presë rivalin e saj me vetëm 30 mijë tifozë në tribuna.

Për këtë arsye, Barça i ka kërkuar UEFA-s që të mos e vendosë si vendase në ndeshjen e parë të grupit, njësoj siç La Liga ka rregulluar kalendarin. Deri tani, nuk ka një përgjigje zyrtare nga shtëpia europiane e futbollit.

Rikonstruksioni i ‘Camp Nou’ mbetet një nga projektet më ambicioze të klubit, por gjithashtu po paraqet sfida logjistike në përputhje me afatet dhe kushtet e sigurisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot