Fortesa Berisha, ka realizuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj duke kaluar nga KFF Malisheva te skuadra italiane Como, që garon në elitën e futbollit të femrave në Itali, Serie A.
Lajmi është konfirmuar nga vetë KFF Malisheva, që në një njoftim e ka cilësuar këtë transferim si një moment historik për klubin dhe futbollin në Malishevë.
"Me zemër plot krenari, njoftojmë që Fortesa Berisha, një nga vajzat më të mira që ka nxjerrë futbolli ynë, po vazhdon ëndrrën e saj, duke kaluar nga KFF Malisheva te Como në Itali, në njërën nga kampionatet më të forta në botë.
Nga stërvitjet në mëngjes e deri te fitoret tona historike, Fortesa ka lënë gjurmë që nuk do të fshihen kurrë në Malishevë," thuhet në njoftimin e klubit, ku veçohen golat, përkushtimi dhe besnikëria e saj ndaj fanellës.
Përveç klubit të saj, edhe Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku Fortesa ndjek studimet, e ka përshëndetur këtë sukses. Në një deklaratë zyrtare, fakulteti e ka cilësuar kalimin e saj në Serie A si një dëshmi të përkushtimit, talentit dhe profesionalizmit të saj.
“Ky është një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për studentet tona. Fortesa po ndjek ëndrrat e saj në njërën nga ligat më të forta të Evropës”, thuhet në urimin e Fakultetit.