Chelsea nis sezonin e ri pas triumfit në Kupën e Botës për Klube

- Bota Sot

Chelsea nis sezonin e ri pas triumfit në Kupën e Botës për Klube

Vetëm njëzet e një ditë pasi ka mposhtur Paris Saint-Germain me rezultat bindës 3-0 dhe është shpallur kampion bote në Kupën e Botës për Klube, Chelsea i Enzo Maresca është rikthyer në stërvitje në qendrën Cobham, duke nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri.

Me më pak se dy javë deri në ndeshjen hapëse të Premier League ndaj Crystal Palace më 17 gusht, skuadra londineze ka vendosur të mos organizojë festime publike për trofeun e fituar, duke u fokusuar në rigjenerim dhe punë intensive për sezonin që po troket.

Në fushën stërvitore, përkrah yjeve të afirmuar si Cole Palmer, Enzo Fernandez, Moises Caicedo dhe Marc Cucurella, ishin edhe fytyrat e reja të merkatos: sulmuesi Joao Pedro dhe talenti Liam Delap, të cilët zhvilluan seancat e para me top dhe ushtrime fizike. Një tjetër prurje e rëndësishme është edhe mbrojtësi i ri holandez Jorrel Hato, për të cilin Chelsea ka paguar dyzet e katër milionë euro.

Tifozët do të kenë mundësinë të përshëndesin kampionët e botës dhe të njihen me përforcimet e reja të mërkurën, më 6 gusht, në një aktivitet festiv në "Stamford Bridge", ndërsa testi i parë në fushë do të vijë të premten, më 8 gusht, kundër Bayer Leverkusen.

Megjithatë, merkatoja e "Bluve" nuk ka përfunduar. Sipas "Sky Sports UK", Chelsea është në bisedime për transferimin e yjeve të rinj Xavi Simons dhe Alejandro Garnacho. Përpara se të konkretizojë këto lëvizje, klubi duhet të zvogëlojë numrin e lojtarëve në skuadër.

Plot nëntë futbollistë janë jashtë planeve të trajnerit Maresca, përfshirë emra të njohur si Raheem Sterling, Ben Chilwell, Axel Disasi dhe sulmuesi shqiptar Armando Broja, të cilët pritet të largohen në ditët në vijim.



Lexoni të gjitha në Bota Sot