Uran Kalakula vuajti për më shumë se 21 vite në burgjet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Ai lindi më 8 korrik të vitit 1929, në Tiranë.
U arrestua më 27 maj 1961 dhe më 11 gusht 1962, me vendimin nr. 113, Gjykata Ushtarake e Tiranës e deklaroi fajtor për “tradhti ndaj atdheut” dhe për “agjitacion e propagandë” dhe e dënoi me vdekje, pushkatim, konfiskimin e pasurisë së tundshme e të patundshme dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Më 3 shtator 1962, me vendimin nr. 121, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë e la në fuqi vendimin e mësipërm. Me dekretin nr. 3572, datë 8 tetor 1962, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, iu fal jeta dhe dënimi iu kthye në 25 vjet heqje lirie. Me dekretin nr. 3603, datë 23 nëntor 1962, dënimi iu zbrit në 21 vjet e 1 muaj burg, duke llogaritur dhe kohën që kishte fituar me punë. U lirua më 30 janar të vitit 1982. Pas burgut, punoi në Shkodër rreth një vit si punëtor komunaleje.
Më pas, u internua familjarisht për pesë vjet në zonën e Kryevidhit, ku ka punuar si punëtor bujqësie deri në fund të vitit 1988, kohë në të cilën u lirua nga internimi. Që nga viti 1991 mori pjesë aktive në formimin e Shoqatës së të Dënuarve e të Përndjekurve Politikë dhe në mjaft veprimtari të tjera politike në mbështetje të vendosjes dhe konsolidimit të demokracisë në vend. Gjatë viteve ’90, botoi në shtypin periodik shumë shkrime me karakter politik, social dhe kulturor. Ndër veprat e botuara sa ishte gjallë spikasin vëllimi poetik “Vargje në pranga”, eseja politike “Shqiptarizmi dhe prirja e tij europeiste”, monografia “Arshi Pipa, njeriu, jeta dhe vepra”. Pas vdekjes së tij në maj të vitit 2001 dolën në dritë vëllimet e tij autobiografikë: “Njëzet e një vjet në burg komunist” dhe “Kur isha i vogël”.
Bërthama
Më 1960 Uran Kalakulla formoi në Tiranë një grup intelektualësh me synim krijimin klandestin të bërthamës të një partie socialdemokrate që do të shërbente si fokus i ndryshimeve politike që priteshin pas prishjes së marrëdhënieve të regjimit komunist shqiptar me Bashkimin Sovjetik. Anëtarët e këtij grupi ishin Agim Musta, Riza Kuçi, Tanush Kaso dhe Kahreman Paftali. Në periudhën shtator-dhjetor 1960 grupi bëri disa mbledhje në shtëpira, në universitet, te shkolla e Kuqe dhe te parku i Tiranës. Me ndërmjetësinë e Tanush Kasos, u vendosën kontaktet me grupin e ngjashëm të krijuar ndërkohë nga Pjetër Arbnori në Durrës, duke synuar një bashkim të mundshëm të tyre. Në fund të shkurtit, 1961 organet e sigurimit të shtetit morën dijeni për ekzistencën e dy grupeve nëpërmjet Zeqir Koçit të grupit të Durrësit që përfshiu një kushëririn e tij, i cili që prej vitit 1958 ishte bashkëpunëtori i Sigurimit me emrin “Asistenti”.
Ky i fundit i raportoi në organet e punëve të brendshme emrat e anëtarëve të grupeve të Durrësit dhe Tiranës të cilët u arrestuan me 27 maj 1961. Pas një hetuesie të gjatë me të gjitha presionet e mundshme, Gjykata Ushtarake e Tiranës, e përbërë nga kolonel Llazi Polena, nënkolonel Reshat Nepravishta, kapiten Xhavit Myrto, e ndihmuar nga prokurori major Sami Kapllani, i deklaroi fajtorë për tradhti ndaj atdheut e agjitacion, duke i dënuar me vendimin nr.113, datë 11.8.1962 Uran Kalakullën dhe Pjetër Arbnorin me vdekje me anë të pushkatimit ndërkohë që anëtarët e tjerë të dy grupeve u dënuan me afate të gjata burgimi. Me datë 3.9.1962. Presidiumi i Kuvendit Popullor, i ktheu vendimet me vdekje në me 25 vjet burgim. Ka vuajtur në burgun e Burrelit.
Dënimi
Prokurori dha pretencën, kërkoi dënimin me vdekje për Uran Kalakullën, si kryetar i grupit të Tiranës, për të kaluarën e tij, për lidhjen me Arshi Pipën, por edhe për moshën që kishte mbi ne, si personi influent. Tanush Kaso ka rrëfyer në një intervistë të gjatë e për librin “Zërat e kujtesës” botim i ISKK-së, kalvarin e tij në burgjet komuniste, por edhe vuajtjet e shokëve të tij. Është mjaft interesante një pjesë e këtij rrëfimi, kur dy prej anëtarëve të grupit ku Tanushi ishte pjesë, dënoheshin me pushkatim. Reagimi i familjarëve nëpër shkallët e hetuesisë, do të mbeten përjetë në kujtesën e tyre.
Takimi i Uran Kalakullës me të shoqen dhe amaneti që i la, kur mendoi se do të shkonte drejt pushkatimit, lotët e dy motrave të Pjetër Arbnorit, që gjithashtu ishte marrë vendimi për t’u dënuar me vdekje, janë çaste që i sjell përmes emocionesh, në një rrëfim të detajuar, Tanush Kaso. “Nuk mund ta harroj atë çast, kur u dënuan me vdekje Uran Kalakulla dhe Pjetër Arbnori.
Pjetri nuk u impresionua fare. Urani, ç’është e vërteta, u trondit pak; por edhe ai nuk e dha veten. Se të ndaheshe nga jeta në atë moshë, nuk ishte gjë e vogël. Dhe përse? Pa vrarë a prerë njeri! Kur zbritëm nga shkallët, familjarët ishin në të dyja anët. U flisnin të afërmve të tyre. E shoqja e Uranit ishte me djalin e vet, Platorin, që ende nuk i kishte mbushur dy vjetët. I foli me zë të dredhur të shoqit: -”Mos u mërzit, Uran!”. Edhe dy motrat e Pjetrit, me lot ndër sy, e përshëndetën dhe e inkurajuan vëllanë e tyre të vetëm. Më ka bërë përshtypje e ëma e Agimit, që ishte si tipi i “Nënës” së Maksim Gorkit, si Pelageja, me ato tipare siç e kemi parë në film.
Ajo foli me zë të lartë: -”Qëndroni, djema!” …Ajo e shkreta nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me atë dhe me të tjerët. Ajo skenë nuk më harrohet, sepse ishte shumë prekëse. Familjarët, ndonëse nuk u lejuan në gjyq, i kishin marrë vesh dënimet me vdekje. Ata na shoqëruan deri tek kamioni i Policisë që do të na çonte në burg, duke na përshëndetur me fjalë e lëvizje duarsh. Urani i foli që nga makina së shoqes: – “Deti, kujdes Patin!”. Policët, duke ulëritur, i shtynin dhe i largonin familjarët dhe kalimtarët kureshtarë” -ka rrëfye Kaso.
Kujtimet
Në librin “21 vjet burg komunist” autori Uran Kalakulla ka rrëfyer çastet e vështira në qeli kur priste që ta merrnin ekzekutorët. “Duket më kishin lidhur me duar prapa për të mos bërë asnjë nga këto veprime në mënyrë të pavarur, por, sigurisht që edhe të mos kisha asnjë mundësi për të vrarë veten e t’u hiqnim kënaqësinë e kësaj pune xhelatëve tanë. Për këtë, të dënuarit me vdekje i lidhin edhe këmbët e në kokë i rrasin të lidhur që të mos e heqë dot, një helmetë, në mënyrë që të mos lëvizë fare e të mos ketë mundësi të derdhë trutë duke përplasur kokën pas mureve.
Kështu e motivon “filozofia zyrtare” e këtyre punëve të fëlliqura. Madje, ajo argumenton se e gjitha kjo punë nuk bëhet për ta munduar më tej të dënuarin, por, përkundrazi, për të bërë të pamundur vetëvrasjen, sepse ligjërisht, ka gjithnjë shans t’i falet jeta. Mua dhe shokut tim të grupit as na lidhën këmbët, as na vunë helmetë në kokë. Ç’ishin këto lloj masash gjysmake? Mos ishte një lloj komedie për të na futur frikën? Këtë nuk mund ta them me siguri, derisa vendimin me vdekje, të dhënë nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, e la në vend edhe Gjykata e Lartë, me kryetar Arianit Çelën famëkeq! Pastaj, nuk e kishin fort në gjak komunistët të bënin komedi të këtilla, sidomos me “armiqtë e popullit”. Pra kushedi sesi ka qenë puna! Unë edhe sot e kësaj dite nuk di t’i jap përgjigje.
Duke i mbajtur duart prapa gjithë kohën, nisin të të dhembin supet, por belaja më e madhe është kur do të ulesh e të mbështetesh pas murit. Të pengojnë mjaft prangat, të vrasin në kolonë. Edhe më keq po të kërkosh të shtrihesh për të fjetur. Anash nuk fle dot se zë përfund trupit krahun dhe ai të mpihet fare. Në shpinë nuk shtrihesh dot. Kuptohet pse. E vetmja mënyrë: të flesh përmbys. Edhe kështu prapë vuan, sepse me krahët prapa është shumë e mundimshme të shtrihesh përmbys. Pastaj, të merret dhe fryma. Nuk di se si kanë bërë të tjerët, por unë sikur gjeta një mënyrë disi të përshtatshme. E mbështesja trupin e mbajtur pezull vetëm në tri pika: në faqen e djathtë, në supin e djathtë dhe në gjurin e majtë. Vetëm kështu mund të çlodhesha e të flija disi. Ndryshe ishte e pamundur. Mos u çudisni! Me çfarë nuk u mësoka njeriu! Unë flija pak orë gjatë ditës, sepse e dija që nuk vinin të të merrnin për ekzekutim ditën. Për shumë arsye të tyret. Ata zakonisht vinin natën, madje pas mesnate. Ujku gjithmonë parapëlqen mjegullën kur do të rrëmbejë e shqyejë prenë e vet. Kështu vepronin edhe sigurims(ujq)-it.
Pra, unë rrija gjithë natën më këmbë, me fytyrën të kthyer nga dera, që, kur ta hapnin, të më gjenin përballë e të gatshëm. Jo të më tërhiqnin zvarrë. Kjo për mua ishte më tepër çështje dinjiteti. Sepse arsyetoja: kur je duke fjetur e të zgjojnë me përdhunë, ti s’e mbledh dot veten menjëherë e plotësisht dhe, në ato çaste solemne mund të ligështohesh dhe atëherë gjithë dinjiteti yt zvarritet përdhe. Pastaj, kisha vendosur të hidhja disa parulla që të dëgjonin të gjithë të dënuarit; sa të më hante gryka, ashtu si dhe para skuadrës së pushkatimit. Për mua, ditën gjendja ishte disi më pak e tendosur. Besoj kështu ishte edhe për atë që kisha pranë, në birucën ngjitur e, po kështu, edhe për tre të tjerë të dënuar me vdekje, në birucat në vazhdim, të cilët kishin mbetur ende prej grupit të Teme Sejkos. Emrat e tyre s’i mësova dot kurrë. Ditën ishin edhe shërbimet: dalja tri herë në ditë për të kryer nevojat vetjake (mëngjes, drekë, mbrëmje) dhe të ngrënët dy herë në ditë (drekë e darkë). Kapterët na zgjidhnin duart e na rrinin pranë: tek hanim ose te dera e halesë; nga një për secilin prej nesh të pestëve”,- ka rrëfyer ai.
Dhoma e vdekjes
“Dhoma ime e vdekjes ishte një birucë e ngushtë, sa mund të zinte vetëm një dyshek. Ajo vërtet ishte e shtruar me dërrasa, por ato ishin gjithë lagështirë dhe myk; ca më tepër sepse ajo ndodhej jo vetëm ngjitur me nevojtoren e vargut të “birucave të Koçit”, por edhe nën nivelin e saj, gati ndonjë gjysmë metri. Dhe, meqë muri ndarës mes të dyjave, ishte me tek tullë, kuptohet se çfarë pasojash të bukura kishte. Mbi pjesën e sipërme të derës, nga ana e jashtme e saj, ishin shkruar qartë, me shkronja të zeza tamam fjalët “Dhomat e vdekjes” e poshtë tyre një kafkë me dy kocinjtë e njohur të kryqëzuar, si te flamuri i piratëve; apo si shenjat e SS-ve nazistë. Kjo “dhomë” nuk kishte dritare, por në vargun e atyre birucave (qenë nja dhjetë), në tavan ishin ca si oxhakë të vegjël, gati sa një shami gruaje, nga ku duhet të hynte drita dhe ajri. Këtej e tutje, unë isha i lidhur me pranga (me duart prapa) dhe ato ishin fiksuar me dry, që unë të mos kisha asnjë mundësi t’i liroja sadopak.
Me këto pranga të vazhdueshme duhej të rrija ditë e natë, deri në momentin kur të dilja para skuadrës së pushkatimit. E ndoshta do t’i kisha me vete edhe në gropën që duhej të zëvendësonte varrin. Po ndoshta pas vrasjes, para se të më tërhiqnin zvarrë për në gropë, policët e skuadrës mund të m’i hiqnin, sepse ato u duheshin për të lidhur të tjerët që do të vinin pas meje. Aq më shumë kur i kishin importuar nga Gjermania Lindore, ndaj edhe u kishin ngjitur si me mburrje emrin “gjermanesha”. Kur hyra në birucë, ndejta një copë herë të mirë në këmbë. Kisha në shpirt ende zjarrin e revoltës, të zemërimit, të indinjatës, të urrejtjes. Aty nuk kishe fare ku silleshe, veçse të vije vërdallë si fugë. Nuk kishte më tepër se një metër gjerësi dhe një e gjysmë gjatësi. Ishte gati si një varrmbi tokë, me mure e tavan në një gjysmerrësirë të vazhdueshme. Kur vala e zemërimit nisi gradualisht të ftohej, siç ndodh me çdo njeri ende të gjallë, vërtet nuk më qeshej, por të them të drejtën, nuk ndjeja aspak frikë. Duket e kisha mbledhur mendjen top për të pritur momentin fatal me një lloj stoicizimi.
Arsyeja kryesore e këtij qëndrimi besoj se nuk vinte nga ndjenja e një revolte, por nga një bindje e kahershme dhe e thellë imja. E pashmangshmja në jetë duhet pritur me qetësi, me gjakftohtësi dhe gjithmonë me kurajë, e sidomos me dinjitet. Unë mendoj edhe sot e kësaj dite se, kush ka sadopak respekt për veten dhe vë në plan të parë dinjitetin njerëzor, duhet po kështu të presë çdo fatkeqësi që i takon në jetë. Dëshpërimi, leqendisja, lotët, të qarat e të thirrurat si prej gruaje, më janë dukur (në raste të tilla) jo vetëm shenja të një paaftësie absolute të vetes për t’u përmbajtur, por të një dobësie të tillë që I ka rrënjët sa në një dashuri të pafund ndaj vetes (e, për pasojë, edhe një dhembshuri e tejskajshme), aq edhe nga mungesa absolute e seriozitetit dhe respektit për vetveten. Nuk e di nëse kjo teza ime e ka emrin trimëri (dhe pjesa e dytë e kësaj teze e ka emrin dobësi), por ja që kështu më ndodhi dhe kështu mendoj edhe sot e kësaj dite. Por ajo që më mundonte ishte koha. Sa kohë do të duhej të duroja në këtë torturë? Pse për mua tani ishte zotërues një mendim i vetëm: më mirë një fund me tmerr, sesa një tmerr pa fund? Ndaj doja që e gjithë kjo histori të merrte fund menjëherë, një sahat e më parë! Domosdo që edhe mua, si çdo qenie njerëzore, më vinte keq për këtë fund jo vetëm të papritur, por edhe të pamerituar. Se nuk ndieja në vetvete ndonjë faj, nuk kisha asnjë brerje ndërgjegjeje për çka kisha bërë. Po të kisha mundësi të kthehesha në jetë prapë, me siguri që do të bëja të njëjtën gjë, pavarësisht me metoda më të holla e në një kohë më të studiuar, por ama, do ta bëja prapë!
E ndjeja se jo vetëm nuk kisha bërë faj, por, përkundrazi, kisha bërë mirë; kisha bërë detyrën time si qytetar, si shqiptar e, më në fund, detyrën time si njeri. …Pra, në këtë mes, them me ndershmëri dhe sinqeritet se nuk kam bërë asnjë trimëri të veçantë, përveçse, detyrën time që kisha marrë përsipër të kryeja në gjirin e shoqërisë sonë të masakruar nga barbaria e diktaturës komuniste. Kuptohet: … më vinte keq për veprën time të lënë në mes, për shumë plane që kisha nisur të realizoja në fushën e krijimtarisë letrare e në fushën e studimeve shoqërore. Mbi të gjitha, po më vinte keq se do të vdisja i dëshiruar pa e parë shembjen e zhurmshme dhe të turpshme të kështjellës së përgjakur të pushtetit komunist, të ngritur mbi kockat e viktimave, ashtu siç kisha parë përmbysjen e kështjellës nazi-fashiste”, -ka rrëfyer Uran Kalakulla.