FCSB dhe Drita zbresin në fushë sonte në sfidën e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja zhvillohet në “Arena Kombëtare” të Bukureshtit, me fillim nga ora 20:30.
Të dyja ekipet kërkojnë të lënë pas zhgënjimin e eliminimit nga Champions League. FCSB u ndal nga Shkëndija e Tetovës, ndërsa kampionët e Kosovës u mposhtën nga Copenhageni. Kjo përballje paraqet një mundësi të re për të rikthyer entuziazmin dhe për të vazhduar rrugëtimin evropian.
Rumunët, me përvojë më të madhe dhe emra të spikatur në përbërje, konsiderohen favoritë në letër. Megjithatë, Drita ka treguar se nuk i druhet emrave të mëdhenj dhe se di të luajë me guxim edhe ndaj rivalëve më të fortë. Objektivi i skuadrës gjilanase është të nxjerrë një rezultat pozitiv nga Bukureshti për të mbajtur gjallë shpresat para ndeshjes së kthimit në shtëpi.
Të dyja ekipet vuajnë nga mungesat. FCSB nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin Ngezana dhe mesfushorin Tanase, të pezulluar, ndërsa Radunovic është jashtë për shkak të lëndimit. Në dyshim janë edhe Olaru dhe sulmuesi i njohur Alibec.
Në anën tjetër, edhe Drita ka mungesa të rëndësishme: sulmuesi Liridon Balaj mungon për shkak të kartonit të kuq ndaj Copenhagenit, ndërsa Juan Mesa është jashtë fushave për një kohë të gjatë për shkak të një dëmtimi serioz në ligamentet e gjurit.