Tifozët anglezë janë padyshim më të çmendurit kur vjen puna te futbolli e këtë e kanë treguar herë pas here, një veprim i tillë është dhe ai nga një mbështetës i djajve të kuq, që dëshiron t’i vijë në ndihmë ekipit.
Ian M me banim në Manchester ka hapur një llogari në “GoFundMe” ku fton të gjithë mbështetësit të japin para në mënyrë që ekipi i tyre të krijojë të ardhura për blerjen e një tjetër futbollisti këtë merkato.
Shuma e synuar është 120 milionë paundë, mjaft e lartë për tu arritur në një mënyrë të tillë, por nisma në fjalë është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale. Lojtari që synohet të blihet nëpërmjet këtij organizimi vullnetar është Carlos Baleba, aktualisht pjesë e Brighton në Premier League. 21-vjeçari sipas Transfermarkt ka vlerën e 40 milionë eurove, ndërsa nuk dihet se përse shuma e vendosur për tu arritur është më tepër se trefishi.
Deri më tani kjo nismë e Ian M nuk ka gjetur mbështetje, por mbetet për t’u parë në vijim nëse dikush do ti bashkohet misionit për të shpëtuar skuadrën në këtë kohë krize. Aktualisht djajtë e kuq kanë kryer disa lëvizje, mes tyre Cunha e Mbeumo, ndërsa janë shumë pranë transferimit dhe të sllovenit Benjamin Sesko.