I akuzuar se vrau shoqen e tij studente, gjendet i vdekur në burg i riu në Itali

- Bota Sot

I akuzuar se vrau shoqen e tij studente, gjendet i vdekur në burg i riu në Itali

Stefano Argentino, 27 vjeç, i cili ndodhej në paraburgim me akuzën për vrasjen e shoqes së tij të klasës, Sara Campanella, u gjet i vdekur të mërkurën në qelinë e tij në burgun e Mesinës.

I riu dyshohet se ka kryer vetëvrasje duke u varur, pasi ishte ndarë nga dy të burgosurit me të cilët ndante qelinë.

Sipas karabinierëve, ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 ndërsa policia e burgut e gjeti të riun pa ndjenja dhe, pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ta shpëtuar, ai ndërroi jetë pak minuta më pas.

Argentino ndodhej në paraburgim që nga fundi i marsit, pasi kishte pranuar autorësinë e krimit që tronditi opinionin publik.

Sipas autoriteteve, ai kishte shfaqur shenja të rënda depresioni dhe mendime vetëvrasëse që në ditët e para të burgosjes, gjë që solli vendosjen e tij në mbikëqyrjeje të veçantë.

Megjithatë, pas vlerësimeve nga psikologët dhe terapistët e burgut, kjo masë u ndërpre 15 ditë më parë, pasi gjendja e tij u konsiderua e stabilizuar.

Sipas avokatit të Argentinos, ai e ka quajtur ngjarjen “dramë të një tragjedie të paralajmëruar”.

“Kërkova një vlerësim psikiatrik për Stefanon, sepse e njihja gjendjen e tij dhe problematikat që e shoqëronin. Por gjykata refuzoi. Të paktën një jetë mund të ishte shpëtuar. Tani shteti duhet të mbajë përgjegjësi për këtë fund të dhimbshëm”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, avokatja Concetta La Torre, përfaqësuese e nënës së viktimës, Sara Campanella, theksoi se kjo ngjarje ka hapur plagë të reja për të dyja familjet.

“Është një fund i tmerrshëm për një histori të tmerrshme. Ai vendosi fatin e dy familjeve. Familja e Sarës po kalon një dhimbje të papërshkrueshme.”u shpreh avokatja

Sara Campanella, 22 vjeç, studente, u qëllua për vdekje më 31 mars në Viale Gazzi, në afërsi të Spitalit Policlinico në Messina, menjëherë pas përfundimit të mësimeve.

Sipas autoriteteve, arma e krimit, thikë, nuk është gjetur ende ndërsa pas ngjarjes, Argentino u largua drejt qytetit të tij, Noto, ku u arrestua disa orë më vonë nga karabinierët.

Prokuroria e Mesinës kishte kërkuar gjykim të menjëhershëm për të akuzuarin, i cili pritej të dilte në seancën e parë më 10 shtator ku do të përballej me akuza të rënda për vrasje me paramendim dhe akte mizorie.

Prokuroria Publike e Mesinës ka nisur tashmë një hetim mbi rrethanat e vdekjes së Argentinos, për të përcaktuar nëse kishte ndonjë mangësi në mbikëqyrjen e tij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot