PSG shpenzon 40 milionë për një portier, Donnarumma humb vendin në Superkupën e Europës

- Bota Sot

PSG shpenzon 40 milionë për një portier, Donnarumma humb vendin në Superkupën e Europës

Paris Saint-Germain ka ndërmarrë një hap të fortë në merkato duke gjetur tashmë zëvendësuesin e mundshëm të Gianluigi Donnarumma-s.

Klubi francez ka arritur një marrëveshje me Lille për transferimin e portierit Lucas Chevalier, një nga emrat më të spikatur të Ligue 1 në sezonet e fundit. Sipas “LÉquipe”, oferta e PSG-së ka kaluar shifrën e 40 milionë eurove, duke bindur përfundimisht klubin e Lille për ta lënë të lirë ‘gardianin’ e talentuar.

Ndërkohë, situata e Donnarummas mbetet në “ngërç”. Portieri i Kombëtares italiane nuk ka pranuar ende propozimin për rinovimin e kontratës me PSG-në, gjë që ka bërë që drejtuesit parizienë të mos rrezikojnë ta humbasin pa përfitim financiar, një situatë që ndodhi një vit më parë me Kylian Mbappé-në.

Chevalier pritet të debutojë si titullar që të mërkurën në finalen e Superkupës së Europës, kundër Tottenhamit, në Udine, duke lënë Donnarumma-n në një pozicion të paqartë dhe të vështirë brenda skuadrës. Aktualisht, gjithçka sugjeron një “bashkëjetesë të detyruar” mes dy portierëve, të paktën deri në zgjidhjen e përfundimtare të situatës.

PSG nuk është i gatshëm të humbasë një tjetër ‘yll’ pa përfitime, ndaj pritet që javët e fundit të merkatos të jenë vendimtare për të ardhmen e Donnarumma-s. Një “çështje e nxehtë” që mund të ndryshojë ekuilibrat në portën e kampionëve të Francës.



Lexoni të gjitha në Bota Sot