David Alaba është rikthyer në formacionin e Real Madridit dhe synon të rifitojë hapësirën e humbur pas një mungese të gjatë për shkak të dëmtimit. Mbrojtësi austriak 33-vjeçar është bashkuar me grupin në stërvitjet në Valdebebas dhe, sipas burimeve të brendshme në klub, është “i motivuar dhe në formë të mirë” për të qenë sërish protagonist me fanellën e bardhë.
Alaba pësoi një dëmtim serioz më 17 dhjetor 2023, në një përballje ndaj Villarreal-it, duke këputur ligamentin e përparmë të gjurit të majtë. Ai u operua në Innsbruck dhe procesi i rikuperimit nuk shkoi lehtë, pasi u shoqërua edhe me dëmtime të meniskut dhe kërcit, që kërkuan ndërhyrje artroskopike në maj të 2024.
Pas plot 399 ditësh mungesë, Alaba u rikthye në fushë në janar të këtij viti, por arriti të grumbullonte vetëm rreth 600 minuta lojë, pa arritur të luajë titullar në dy ndeshje radhazi.
Reali mendon shitjen, por Alaba ka vendosur të qëndrojë
Pavarësisht rikthimit, drejtuesit e Real Madridit nuk janë të bindur për të ardhmen e Alaba-s. Kontrata e tij përfundon në vitin 2026, por klubi po shqyrton mundësinë për ta larguar që gjatë kësaj vere, si mënyrë për të ulur barrën financiare nga paga e tij prej 10.5 milionë euro neto në sezon, një nga më të lartat në skuadër.
Sidoqoftë, përfaqësuesit e lojtarit janë treguar të qartë: “David nuk largohet.”
Një aset i vlefshëm për Xabi Alonson
Në një moment kur Real Madridi përballet me mungesa të rëndësishme (Bellingham është jashtë deri në tetor, Mendy është në dyshim dhe talenti i ri Endrick ende nuk është plotësisht gati) Alaba mund të shërbejë si alternativë e vlefshme, edhe në rolin e mbrojtësit të majtë, pozicion që e ka mbuluar me sukses më parë te Bayerni.
Çështja nuk është talenti, por qëndrueshmëria fizike. Megjithatë, aktualisht Alaba duket i rikuperuar plotësisht dhe i vendosur të fitojë sërish besimin e stafit dhe vendin në formacion. Ai nuk po mendon për një kapitull të ri jashtë Madridit, synimi është i qartë: të qëndrojë dhe të luftojë për fanellën e tij.