Shkëmbi flet për fazën parasezonale, përforcimet dhe sezonin e ri

- Bota Sot

Shkëmbi flet për fazën parasezonale, përforcimet dhe sezonin e ri

Trajneri i Struga Trim Lum, Bledi Shkëmbi, në një intervistë më të zgjeruar, ka folur për fazën e përgatitjeve, përforcimet dhe sezonin e ri që na pret…

Të shtunën edhe zyrtarisht starton sezoni i ri futbollistik në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Struga Trim Lum në sezonin 2025/26 futet me forca të reja dhe me trajner të ri, Bledi Shkëmbin.

Pikërisht nën drejtimin e tij, skuadra zhvilloi fazën e përagtitjeve, duke zhvilluar edhe 7 ndeshje kontrolluese, përmes të cilave strategu nga Korça ka përfituar pasqyrën e duhur rreth ekipit që do të bartë barrën kryesore për gjatë gjithë sezonit.

“Mendoj që djemtë kanë bërë një fazë të mirë përgatitore. Kemi punuar mirë, ashtu që mendoj se në përgjithësi jemi gati për ndeshjen e parë sezonale.” – u shpreh fillimisht trajneri Bledi Shkëmbi, që foli edhe për kundërshtarin e parë të sezonit të ri, Makedonija Gj.P:  “Patjetër që për kundërshtarin kemi marrë informacione. Nga ajo që kemi siguruar mund të them se është skuadër që duhet vlerësuar maksimallisht, pavarësisht se vijnë nga një kategori më poshtë. Ata shumë vite kanë qenë pjesë e elitës, ndaj duhet të kemi një qasje serioze.”

Shkëmbi mori drejtimin e skuadrës që nga fillimi i përgatitjeve. Ai ka mbetur i kënaqur me angazhimin e futbollistëve, mirëpo ajo që e brengos, është fakti se disa  prej transferimeve të reja, janë afruar me vonesë dhe nuk janë në formën më të mirë.

“Kemi 7 javë që kemi filluar përgatitjet dhe shumica e lojtarëve kanë bërë një fazë të mirë. Disa nga lojtarët e afruar nuk janë në formën më të mirë, për shkak se janë afruar pak me vonesë, por po punojmë akoma, në veçanti me këta lojtarë që të jenë sa më shpejtë në formën e tyre më të mirë.” – thotë Shkëmbi, i cili tashmë në kokën e tij ka përzgjedhur edhe skuadrën ideale, që sipas tij numëron plotë 18 futbollistë, dhe jo vetëm 11-të: “Patjetër që në kokën time është skuadra dhe grupi i cili do të përballojë këtë kampionat, nuk e mendoj që janë 11 lojtarë por minimumi 18.”

Tashmë kur para nesh kemi edhe orarin e plotë të ndeshjeve, Shkëmbi thotë se duhet të jemi të përqëndruar dhe të japim maksimumin ndaj çdo kundërshtari, nëse duam të jemi në mesin e skuadrave pretendente.

“Mendoj që orari i ndeshjeve sido që të ishte, na duhet të sillemi njësoj. Duhet të jemi të përqendruar dhe të japim maksimumin me çdo kundërshtar, nëse duam të jemi ndër skuadrat pretendente për një vend në garat europiane.” – u shpreh Shkëmbi, i cili foli gjithashtu edhe për përforcimet e skuadrës gjatë merkatos së verës.

Ai pret edhe disa përforcime, me qëllim që në sezonin e ri të shohim një Struga Trim Lum shumë më të fuqishme.

“Me përforcimet jam i kënaqur, por e thash më lartë se problemi i tyre është se janë afruar me vonesë dhe nuk janë në maksimumin e tyre.

Presim dhe përforcime të tjera për tu bërë akoma një skuadër më e fortë për të luftuar për kreun e tabelës. Patjetër që kësaj skuadre të ribërë i duhet pak kohë për tu ambientuar me njëri tjetrin.” – përfundoi intervistën për faqen zyrtare të klubit trajneri, Bledi Shkëmbi, që në fazën parasezonale në 7 ndeshje ia doli të dalë fitues në 4 prej tyre, në dy ndeshje barazuam, ndërsa pësuam që në ndeshjen e parë të zhvilluar gjatë muajit korrik.



Lexoni të gjitha në Bota Sot