Kancelari gjerman Friedrich Merz falënderoi publikisht Presidentin e SHBA-së Donald Trump për përpjekjet e tij të ndërmjetësimit midis Ukrainës dhe Rusisë pas telefonatës së tij të së enjtes me Volodymyr Zelensky, presidentin e Ukrainës.
“Fola me Presidentin Zelensky rreth takimit të së mërkurës midis të Dërguarit Special të SHBA-së Steve Witkoff dhe Presidentit rus Vladimir Putin”, shkroi Merz në X. “Ne të dy jemi mirënjohës ndaj presidentit amerikan për përpjekjet e tij të ndërmjetësimit dhe jemi në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë evropianë.”
Telefonata pasoi vizitën e Witkoff në Moskë, ku ai u takua me Putinin për afërsisht tre orë. Pas takimit, të dyja palët thanë se Trump dhe Putin do të takohen “në ditët në vijim” për të diskutuar luftën në Ukrainë.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, tha se gjatë telefonatës midis Merz dhe Zelensky, udhëheqësit diskutuan gjerësisht zhvillimet e fundit diplomatike.
“Të dy udhëheqësit vlerësuan përpjekjet ndërmjetësuese të presidentit amerikan dhe ranë dakord që Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj të agresionit, e cila shkel ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësi. “Ata ranë dakord të mbajnë kontakt të ngushtë me partnerët evropianë dhe SHBA-në. Kancelari gjerman e siguroi presidentin ukrainas për mbështetjen e tij të vazhdueshme”, shtoi ai.