Real Madridi “blindon” yllin e vet të ri. Sipas asaj që raporton gazeta “AS”, Gonzalo Garcia ka rinovuar kontratën deri në vitin 2030. Marrëveshje totale mes klubit, lojtarit dhe agjencisë që e përfaqëson, “Best of You”, e vulosur me një klauzolë gjigante: nga 50 milionë euro në 1 miliard euro. Një shifër galaktike për të mbrojtur sulmuesin kryesor të Botërorit për Klube, zbulimin absolut të turneut amerikan dhe yllin në rritje.
Sulmuesi i ri spanjoll, 23 vjeç, ka lënë tashmë gjurmë: 5 gola në 10 ndeshjet e tij të para me skuadrën e parë, duke barazuar rekordin e Butragueños, vetëm një gol larg legjendarit Raúl. Me numrin 30 në shpinë, Gonzalo ka valëvitur flamurin e “La Fábrica” në SHBA, me paraqitje që kanë mahnitur Xabi Alonso, i cili e ka startuar si titullar në mungesë të Endrick dhe Mbappé.
Opsioni për të veshur fanellën me numrin 9 është real (Mbappé ka zgjedhur numrin 10), por për të nuk është prioritet. Endrra e tij ka qenë dhe mbetet të qëndrojë te Real Madridi dhe të ndjekë hapat e idhullit, Cristiano Ronaldo. Marrëveshja u arrit pa probleme, pavarësisht interesit konkret të tri klubeve kryesore të Premier League.
Që nga fillimet në “Valdebebas” në vitin 2014, Gonzalo ka shënuar 157 gola në ekipet e të rinjve, duke u bërë simbol i gjeneratës së re të Real Madridit. Me këtë firmë, Florentino Pérez dërgon një mesazh të qartë: e ardhmja ka nisur tashmë dhe Gonzalo do të jetë protagonist deri në vitin 2030.