Ka heshtje që flasin shumë…
Një shembull i qartë është ajo që ndodhi të enjten, më 7 gusht 2025, kur “France Football” shpalli 30 kandidatë për çmimin prestigjioz “Topi i Artë”, që do të ndahet më 22 shtator në Paris. Edhe pse Real Madridi ka tre të nominuar; Vinicius, Mbappé dhe Bellingham, klubi madrilen nuk e bëri publike me pompozitet këtë fakt, ndryshe nga herët e tjera.
Tradicionalisht, Real Madridi i kushton një hapësirë të veçantë në faqen e tij zyrtare, rrjetet sociale, madje edhe në televizionin e klubit të gjitha nominimeve, qoftë për “Topin e Artë”, apo edhe çmimet e tjera si “Kopa” (për lojtarët nën 21 vjeç), “Yashin” (për portierin më të mirë) apo “klubi më i mirë i sezonit”. Në vitin 2024, Vinicius, Bellingham, Carvajal, Mbappé, Valverde, Rüdiger dhe Kroos ishin të nominuar për lojtarin më të mirë, ndërsa Güler dhe Lunin konkuronin në kategoritë e tyre.
Në vitin 2025, Real Madridi ka zgjedhur heshtjen e plotë, që lidhet drejtpërdrejt me ngjarjet e edicionit të kaluar. Kur dukej se Vinicius Junior do ta fitonte “Topin e Artë” për vitin 2024, disa sinjale të papritura që arritën në klub dhe tek vetë lojtari, pak orë para ceremonisë, paralajmëruan se fitues do të ishte Rodri. Kjo solli një vendim drastik. Real Madridi vendosi të mos dërgonte asnjë përfaqësues në Paris, në ceremoninë përkatëse.
Zhgënjimi dhe zemërimi i madh që klubi ndjeu ndaj këtij vendimi, të cilin e konsideroi të padrejtë, u bë i qartë që më 28 tetor 2024, kur Real Madridi deklaroi: “Në këtë moment, ‘Topi i Artë’ nuk ekziston për ne”. Madje, klubi anulloi edhe programin special prej pesë orësh që kishin planifikuar në televizionin e vet, RMTV, për këtë çmim.
Vetëm dy muaj pas asaj ngjarjeje, Vinicius Junior fitoi çmimin “FIFA The Best” për vitin 2024, i dhënë në Doha nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Ai u pyet edhe për mungesën e tij në ceremoninë e Parisit dhe u përgjigj duke përmendur rëndësinë e çmimit të FIFA-s dhe luftën e tij për të arritur në majën e botës. Ky ishte një paralajmërim i qartë i qëndrimit të klubit pas asaj që ndodhi me “France Football”. Për Real Madrid, fitimi i “The Best” apo “Topit të Artë” është i barabartë financiarisht; bonusi në kontratë është i njëjtë për të dyja çmimet.
Tani, gati një vit më vonë, pyetja më e madhe është nëse më 22 shtator 2025 do të përsëritet situata e vitit të kaluar, kur asnjë përfaqësues i Real Madridit nuk shkoi në ceremoni. Edhe pse Real Madridi fitoi çmimin për ekipin më të mirë të vitit 2024, nuk kishte kush ta merrte atë në Paris.
Situata ka ndryshuar pas një sezoni të dobët dhe me vetëm tri nominime këtë vit, por të gjitha tregojnë se asnjë lojtar apo përfaqësues të Real Madridit nuk do ta shohim të marshojë në tapetin e kuq të “Théatre du Chatelet” në Paris.