Milani është në kërkim të një sulmuesi

- Bota Sot

Milani është në kërkim të një sulmuesi

Milan po vijon të kompletohet dita ditës. Megjithatë në mënyrë që ekipi i Max Alegrit të jetë plotësisht e kompletuar, mungon ende një gur i fundit, ai për afrimin e një qendërsulmuesi me peshë, që të mund të garantojë gola për kuqezinjtë.

Pas përfundimit të marrëveshjes për Ardon Jasharin dhe tentativës së afrimit të talentit Athekame nga Jang Bojs, Milani po përqendrohet në përforcimin e fundit të sulmit për sezonin 2025- 2026.

Fillimisht, prioritet i kuqezinjve ishte sulmuesi serb Dushan Vlahoviç, por negociatat e vështira dhe kërkesat e larta financiare kanë detyruar klubin të ndryshojë drejtim. Sulmuesi danez i Manchester United, Rasmus Hojlund, ka kaluar në krye të listës së dëshirave për të mbushur hapësirat në repartin ofensiv.

Në orët e fundit, përfaqësues të Milanit janë dërguar në Londër për të negociuar me drejtuesit e “Djajve të Kuq” mundësinë e huazimit të Hojlund, me një opsion blerjeje në fund të sezonit. Marrëveshja që po diskutohet pritet të jetë në rreth 30-35 milionë euro, ndërkohë që paga e sulmuesit danez prej 3 milionë eurosh në sezon është më e ulët krahasuar me ofertën që do i duhet t’i bëhej Vlahoviç, çka e bën atë një opsion më të arsyeshëm financiarisht për klubin milanez. Hojlund, i cili pati një sezon të vështirë në Premier League, ka shprehur dëshirën për t’u kthyer në Itali dhe është i gatshëm të japë kontributin e tij menjëherë në ekipin kuqezi.

Milani pret që bisedimet të përfundojnë me sukses gjatë fundjavës, përpara se të nisin ndeshjet miqësore të ekipit në Dublin dhe Londër kundër Leeds dhe Chelsea. Duke i shtuar forcë repartit ofensiv, Milani synon të përmirësojë cilësinë dhe numrin e alternativave në sulm, një sektor që është konsideruar problematik në sezonin e kaluar.

Në të njëjtën kohë, klubit i duhet të menaxhojë mirë buxhetin për të qenë konkurrues edhe në merkato në muajt në vijim. Ekspertët e merkatos theksojnë se ardhja e Hojlund do të përfaqësojë një shtysë të madhe për Milanin në ndjekjen e objektivit kryesor, rikthimin në titullin e Serie A dhe një prezencë solide në Champions League.

Për më tepër, ky transferim do t’i japë trajnerit mundësi më të shumta taktike dhe fleksibilitet në formacion. Nga ana tjetër, interesi për Vlahoviç nuk është shuar krejtësisht, dhe kjo do të varet nga zhvillimet e merkatos dhe sukseset e bisedimeve për Hojlundin. Ndërkohë, tifozët e Milanit shpresojnë që këto lëvizje të përforcojnë skuadrën dhe ta rikthejnë atë në rrugën e fitoreve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot