Hajduku i Splitit ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Dinamo Cityt të Tiranës, me rezultatin 2:1, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Takimi u zhvillua në stadiumin legjendar “Poljud”, ku ishin të pranishëm plot 31,652 tifozë – një rekord për ndeshjet e kësaj jave në këtë garë evropiane.
Sipas të përditshmes kroate “Index.hr”, kjo ndeshje shënoi gjithashtu shikueshmërinë e katërt më të lartë nga të gjitha ndeshjet e organizuara nga UEFA gjatë javës, nga dita e martë deri të enjten.
Rekordin e mbajti përballja mes Rangers dhe Viktoria Plzen në Ligën e Kampionëve, me 45,730 tifozë të pranishëm.
Skuadra shqiptare, nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja dhe fituese e Kupës së Shqipërisë në sezonin e fundit, kaloi e para në epërsi me një supergol të Dejvi Bregut në minutën e 37-të. Pjesa e dytë foli për vendasit, që përmbysën rezultatin dhe siguruan një fitore me shumë peshë.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet javën e ardhshme në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, ku Dinamo City do të kërkojë një përmbysje historike për të siguruar kalimin në play-off-in e Ligës së Konferencës.