Si e kishte vrarë pronarin e një kafeneje në vitin 2014 i arratisuri serb nga burgu i Mitrovicës?

- Bota Sot

Si e kishte vrarë pronarin e një kafeneje në vitin 2014 i arratisuri serb nga burgu i Mitrovicës?

Gjorgje Radomiroviq (34), të cilin Policia e Kosovës po e kërkon pasi ka ikur nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut, ishte dënuar me 14 vjet e gjysmë burg për vrasjen e pronarit të një kafeneje, Mirko Vuloviqin (30), në Leshak, dhe plagosjen e vëllait të tij në vitin 2014.

Mediat asokohe raportuan se Radomiroviq ishte një kriminel i njohur, i cili, për shkak të disa veprave penale të kryera në zonën e Novi Pazarit dhe rrethinës, ishte fshehur në veri të Kosovës, raporton nova.rs.

Radomiroviq, në ditën fatale, hyri në kafenenë “Time”, ndali menjëherë muzikën dhe pyeti “Kush guxon ta lëshojë sërish muzikën”?

Pronari i lokalit dhe vëllai i tij tentuan ta qetësonin, por ai i ftoi të “dalin jashtë dhe të bisedojnë”. Sapo dolën, ai nxori armën dhe qëlloi disa herë mbi Mirkon dhe Mladenin.

Disa ditë para këtij incidenti, siç raportuan atëherë gazeta “Novosti”, transmeton Nova.rs, Radomiroviq dyshohej se kishte të bënte edhe me një grabitje në afërsi të Leposaviqit.

I njëjti portal raportoi gjithashtu se bëhet fjalë për një person që kishte hyrë në rrugën e krimit që në moshë të mitur.

Tashmë Policia në Kosovë ka publikuar edhe fotografinë e tij dhe po kërkon ndihmën e të gjithëve për arrestimin e tij.

Ndryshe, nga Shërbimi Korrektues i Kosovës është bërë e ditur se kanë nisur hetimet e brendshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe siç thonë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për adresimin e këtij rasti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Deri në përfundimin e hetimeve, drejtori i institucionit, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues mbeten të pezulluar nga detyra.



Lexoni të gjitha në Bota Sot