Arsenali humbi 2-3 miqësoren me Vijarealin në “Emirates Stadium”. Ishte edhe ndeshja e parë e sulmuesit suedez, Viktor Gyokeres para publikut të ri të Arsenalit, por ai nuk arriti dot të tregonte kualitetin e tij.
Gjithsesi, trajneri Mikel Arteta, është shprehur me bindje se ky mund të jetë sezoni i rikthimit të “Topçinjve” drejt lavdisë: “E dimë mirë cilat janë objektivat dhe çfarë duam të arrijmë këtë sezon. Prandaj mund të them se besojmë fort në aftësinë tonë për t’i realizuar”.
Pas tri sezonesh radhazi në vendin e dytë të Premier Ligës dhe pa fituar ndonjë trofe madhor, tani pritshmëritë janë më të larta në “Emirates”
Arteta pranoi se ishte shumë pranë suksesit vitet e fundit, por theksoi se këtë herë gjithçka do të varet nga përkushtimi dhe paraqitja e lojtarëve:
“Kemi qenë afër, shumë afër… por këtë herë do të jetë skuadra që do të vendosë nëse do të arrijmë diçka, apo jo”, u shpreh spanjolli. Arsenali ka bërë lëvizje të rëndësishme në merkato për të rritur cilësinë e skuadrës, duke investuar gati 200 milionë sterlina (230 milionë euro).
Sulmuesi Gyokeres, mesfushorët Zubimendi dhe Norgard, mbrojtësi Moskera, anësori Madueke dhe portieri Kepa janë përforcimet e ardhura, për të bërë diferencën. Këtë herë, justifikimet nuk do të shërbejnë, në rast të një tjetër sezoni pa trofe. “Topçinjtë” e nisin sezonin në Premier Ligë në transfertë me supersfidën ndaj Mançester Junaitidit, më 17 gusht.