Igor Tudor prezantoi ndeshjen miqësore Borussia Dortmund–Juventus, e planifikuar për nesër në orën 17:30. Ja deklaratat e tij në konferencën për shtyp:
Çfarë jave keni kaluar?
Një javë e bukur pune, vend shumë i mirë, nuk kishte vapë.
U punua mirë, u punua aq sa duhej. Djemtë, si gjithmonë, janë të gatshëm, me shumë dëshirë dhe profesionalizëm të madh.
Nesër është një ndeshje e bukur, ndaj një kundërshtari me nivel, stadiumi pritet të jetë plot.
Do të jetë mirë të verifikojmë veten, t’u japim minuta loje lojtarëve mbi të gjitha, sepse kjo ka rëndësi. Deri tani kemi zhvilluar vetëm 45 minuta lojë, kështu që duhet ta rrisim pak minutazhin dhe të provojmë t’ua japim të gjithëve. Kemi këtë ndeshje, pastaj Atalantën dhe të mërkurën luajmë ndaj Next Gen. Në këto tri ndeshje duhet të japim minutazhin e duhur për lojtarët dhe të shohim gjërat mbi të cilat kemi punuar.
Çfarë prisni nga ndeshja e nesërme?
Janë gjithmonë ndeshje të ndryshme këto të gushtit, sepse ka shumë ngarkesë pune pas tyre. Kemi punuar fort këto gati 18 ditë. Është punuar shumë dhe padyshim do të ketë pak lodhje, kjo është normale. Pas së dielës mbeten edhe dy javë deri në fillim të kampionatit, kështu që çdo ditë do t’i ndryshojmë ngarkesat për të qenë gati për ndeshjen e parë. Ky është objektivi.
A keni folur me klubin për merkaton? Sa ju mungon për të qenë protagonistë në garën për titull?
Ne bëjmë rregullisht përditësime, jemi në komunikim me klubin, jemi në harmoni, flasim, shohim çfarë mund të bëjmë. Klubi po punon, unë jam këtu të punoj me këto djem që kam në dispozicion, një skuadër të rëndësishme, serioze, që do të bëjë më të mirën në kampionat.