Newcastle dhe mbrojtësi gjerman Malick Thiaw janë gjithnjë e më pranë një marrëveshjeje.
Dy ditë më parë, klubi anglez ofroi 30 milionë euro për kartonin e futbollistit të Milanit, ofertë që gjeti pëlqimin e lojtarit, por jo të klubit kuqezi, i cili kërkonte të paktën 40 milionë euro, edhe për faktin se Thiaw është pjesë e planeve të trajnerit Allegri.
Në orët e fundit, Newcastle ka bërë një ofertë të re duke arritur shifrën e kërkuar nga Milani: 35 milionë euro fikse plus 5 milionë bonus. Kjo ka përshpejtuar bisedimet dhe marrëveshja mund të mbyllet së shpejti.
Nëse mbrojtësi pranon kalimin në Premier League dhe ribashkimin me Sandro Tonalin, Milani do të kërkojë zëvendësuesin e tij te Giovanni Leoni i Parmës, por interes ka edhe për Pietro Comuzzo-n e Fiorentinës, i cili ka rinovuar së fundmi deri në vitin 2029 dhe vlerësohet 25-30 milionë euro.
Comuzzo doli para kohe nga miqësorja kundër Manchester United për shkak të një problemi në stomak. Thiaw iu bashkua Milanit në verën e vitit 2022 për 9 milionë euro dhe ka kontratë deri në vitin 2027.