Pas raportimit se ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, është angazhuar në një rol të ri si këshilltar i lartë pranë “Iniciativës Pupin”, organizatë që synon të thellojë bashkëpunimin politik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së, ka reaguar Daniel Serwer.
“Nga përfaqësimi i SHBA-së në Beograd në përfaqësimin e Beogradit në SHBA. Është një kthesë e shpejtë dhe e lehtë për ata që mendojnë se Vuçiq po kthehet nga Perëndimi. Ata nuk kanë ndjenjë drejtimi”, tha Serwer.
Hill do të veprojë në këtë funksion vullnetarisht, pa pagesë, kurse qëllimi i këtij angazhimi është forcimi i lidhjeve të Serbisë me të dy partitë kryesore amerikane – Demokratët dhe Republikanët – në Kongresin amerikan, përmes komunikimit dhe lobimit institucional.
“Iniciativa Pupin” është një organizatë dy-partiake e cila vepron në Uashington, dhe synon të afrojë qëndrimet midis qarqeve politike amerikane dhe aktorëve të rëndësishëm në Serbi.
Hill ka një karrierë të gjatë diplomatike, duke shërbyer si ambasador në Irak, Korenë e Jugut, Poloni dhe Maqedoni.
Ai ka qenë i përfshirë edhe në proceset negociatore për konfliktet në Ballkan, si pjesë e ekipit amerikan në marrëveshjet e Dejtonit dhe Rambujesë.
Ndryshe, ai shërbeu për herë të fundit si ambasador në Serbi (2022-2024), pas misioneve të mëparshme si ambasador.