Kritika Hamiltonit

- Bota Sot

Kritika Hamiltonit

Viti i parë Luis Hamilton te Ferrari po rezulton shumë i vështirë.

Pritshmëritë e larta që kishin kur u njoftua transferimi i tij po përplasen me një realitet shumë më të ashpër.

Britaniku ka barazuar debutimin e dytë më të keq në Maranelo, me 14 gara pa u ngjitur asnjëherë në podium.

Nga ana tjetër, shoku i tij i skuadrës, Sharl Lëklerk ka grumbulluar tashmë pesë podiume deri në pushimin veror. Një nga gjërat që ka habitur është qëndrimi me të cilin piloti po përballet me këtë situatë. Në Hungari, shtatë herë kampioni i botës tha se ishte “plotësisht i paaftë” për ta drejtuar këtë makinë dhe madje la të kuptohej se Ferrari duhet të kërkonte një pilot tjetër.

Fjalë shumë të ashpra ndaj vetes nga ana e Luis Hamiltonit. Është pikërisht ky reagim ai që ka nxitur Zhan Alesin, ishpilot i Ferrarit nga viti 1991 deri më 1995, të bëjë një kritikë të fortë ndaj kampionit britanik.

Gjatë një intervistë për “Corriere della Sera”, Alesi ndër të tjera deklaroi: “Mendoj se qëndrimi i Hamiltonit demoralizon ata që punojnë me të. Sena apo Shumaker nuk do të kishin thënë kurrë diçka të tillë”, u shpreh francezi, i cili kaloi te Ferrari në një nga periudhat më të vështira të historisë së skuadrës italiane dhe arriti vetëm një fitore në pesë vite.

“Dukej si një komedi italiane, por u kthye në një film horror”, tha Alesi, duke iu referuar Çmimit të Madh të Hungarisë që kishte nisur shumë mirë me “pole position” nga Lëklerk, por përfundoi në një katastrofë për skuadrën italiane. Luis Hamilton tani ka një muaj në dispozicion për të bërë një “reset” të plotë. Kritikat për sezonin e tij me Ferrarin po shtohen çdo ditë.

Dy ditë më parë, Berni Ekleston, ish-shefi i Formulës 1, e këshilloi që të tërhiqet nga sporti. Në renditjen e përgjithshme, britaniku është në vendin e gjashtë me 109 pikë, 42 më pak se Sharl Lëklerk, duke pasur të njëjtën makinë.

Një situatë e dhimbshme, për një pilot që numëron shtatë tituj kampionë në Formula 1. Por pikërisht në këto momente zbulohet karakteri i një kampioni. Luis Hamiltonit i kanë mbetur edhe 10 gara për të përmbysur situatën, përndryshe duhet të shikojë përpara drejt vitit 2026, kur do të hyjnë në fuqi ndryshimet e mëdha në rregullore.



Lexoni të gjitha në Bota Sot