Albion Rrahmani vazhdon t’i vendos ndeshjet, trajneri i Spartës i mahnitur me qetësinë e tij para porte

- Bota Sot

Albion Rrahmani vazhdon t’i vendos ndeshjet, trajneri i Spartës i mahnitur me qetësinë e tij para porte

Albion Rrahmani po vazhdon të shkëlqejë në fillimin e këtij sezoni me Sparta Pragën. Sulmuesi ishte përsëri protagonist, duke shënuar golin e vetëm në fitoren 1-0 ndaj Sigma Olomouc dhe duke i dhuruar tri pikë të rëndësishme skuadrës së tij.

Ky ishte goli i tretë i Rrahmanit në po aq ndeshje të kampionatit, një statistikë mbresëlënëse që tregon formën e lartë dhe efikasitetin e tij para portës.

Me këtë ritëm, ai po tregon se mund të jetë jo vetëm një lider në fushë, por edhe një garanci për gola gjatë gjithë sezonit.

Trajneri i Spartës, Brian Priske, në deklaratën pas ndeshjes, e vlerësoi lart paraqitjen e lojtarit të tij, duke theksuar se përvoja dhe qetësia e Rrahmanit janë arma të fuqishme në momentet vendimtare.

“Sigurisht, ai e ka mësuar këtë për shumë vite dhe ende po punon me veten. Përfundimi i tij është shumë i mirë, e pamë sezonin e kaluar dhe këtë sezon. Ai është mjaftueshëm i pjekur për të përdorur përvojën e tij. Kur arrin te porta e kundërshtarit, është shumë i qetë, i sigurt dhe i shkëlqyer”, deklaroi Priske, duke lënë të kuptohet se Rrahmani është bërë një lojtar kyç për skuadrën.

Me formën që po tregon, sulmuesi kosovar jo vetëm që po fiton besimin e trajnerit dhe tifozëve të Spartës, por po dërgon një mesazh të qartë se mund të jetë ndër golashënuesit më të mirë të ligës këtë sezon.



Lexoni të gjitha në Bota Sot