Europa vijon të përballet me temperature ekstreme, teksa një pjesë e kontinentit është në betejë të përditshme me flakët që kanë djegur mijëra hektarë pyje.
Në Itali në Malin Vezuv, operacionet për shuarjen e flakëve kanë vijuar për më shumë se 48 orë dhe në ndihmë ka ardhur dhe ushtria.
Rreth 80 zjarrfikës vazhdojnë punën të hënën, me përforcime që kanë mbërritur nga të gjitha rajonet e Italisë. Që nga mëngjesi I së hënës, katër avionë Canadair kanë ardhur në ndihmë nga ajri.
Autoritetet e parkut kombëtar të Vezuvit thanë se rrjeti i shtigjeve pranë vullkanit ishte mbyllur për arsye sigurie dhe për të lehtësuar operacionet e shuarjes së zjarreve, ndërsa parku arkeologjik i Pompeit mbetet i hapur për publikun.
Shkaku i zjarrit nuk dihet ende, megjithëse ka dyshime të forta se ishte zjarrvënie e qëllimshme.
Edhe Spanja po përballet me zjarret, sidomos në rajonet e Castilla Leon dhe Navarra. Temperaturat e larta dhe erërat e forta e kanë bërë më të vështirë luftën ndaj flakëve.
Deri më tani këtë vit, zjarret kanë përfshirë rreth 36,000 hektarë sipërfaqe pyjore në Spanjë. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 15 zjarre të mëdha janë përhapur në vend në vitin 2025, mbi mesataren e 10 viteve të fundit.
Ne Portugali zjarrfikesit po perballen me zjarret ne disa rajone. Disa shtëpi duhej të evakuoheshin, gjithashtu edhe një azil pleqsh.
Rreth 2,000 zjarrfikës janë në terren për shuarjen e flakeve, teksa temperaturat mbi 40 grade e kane veshtiresuar punen.
Zjarre ka pasur edhe në Kroaci, konkretisht në fshatin bregdetar Jesenice pranë Splitit.
Flakët arritën shumë pranë shtëpive dhe autoritetet u detyruan të mbyllnin rrugën kryesore nga Omis në Split.
Sipas departamentit të zjarrfikësve kroatë, flakët u përhapën në tre kilometra dhe disa banorë u evakuuan nga zona.
Rreth 140 zjarrfikës u dërguan në vendngjarje dhe 3 avionë Canadair ndihmuan nga ajri për shuarjen e flakëve.