Spanja urdhëron heqjen e ndalimit për grumbullimet fetare

- Bota Sot

Spanja urdhëron heqjen e ndalimit për grumbullimet fetare

Qeveria e Spanjës ka urdhëruar zyrtarët e një qyteti që të heqin ndalimin për grumbullimet e besimtarëve në qendrat publike sportive duke e quajtur masë “diskriminuese” që shkel të drejtën e besimit fetar pasi prek kryesisht myslimanët.

“Nuk mund të ketë gjysmë-masa kur bëhet fjalë për intolerancën”, tha ministri i politikave territoriale, Ángel Víctor Torres në një shkrim në rrjetet sociale. Partitë opozitare të djathta, vijoi ai, “nuk mund të vendosin kush ka lirinë e adhurimit dhe kush jo.”

Javën e shkuar, këshilli  i udhëhequr prej konservatorëve në Jumilla, një qytet me 27 mijë banorë në  rajonin e Murcia, kishte përkrahur ndalimin. Banorët myslimanë i përdornin godinat prej vitesh për t’u grumbulluar gjatë Fitër dhe Kurban Bajramit, ndaj kjo masë u mor si shënjestrim i më shumë se 1 mijë  myslimanëve që jetojnë në qytet.

Propozimi u prezantua nga partia e së djathtës ekstreme, Vox, që kërkoi ndalim të festimeve publike si Kurban Bajrami. Më pas, kjo u zbut dhe përkrah nga Partia Popullore që hoqi referencën ndaj Kurban Bajramit dhe vendosi që qendrat sportive bashkiake s’mund të përdoreshin më për “aktivitete  kulturore, sociale ose religjioze të panjohura për këshillin e qytetit”. Vox e kishte kërkuar masën në këmbim të përkrahjes së buxhetit që do të prezantonte kreu i Partisë Popullore.

Por ndërsa e djathta ekstreme festonte, reagimi ishte i beftë. Kreu i një shoqate myslimane në Spanjë tha se ndalimi ishte “islamofobi e institucionalizuar”, kurse ministrja e Emigracionit e quajti “të turpshëm”.

Në Jumilla, kreu i Partisë  Popullore i doli në mbrojtje mocionit duke thënë se nuk përjashtonte ndonjë besim dhe nxirrte në pah 72 nacionalitetet që bashkëjetojnë në qytet.

Në Madrid, qeveria e udhëhequr nga socialistët e shfrytëzoi këtë masë duke e portretizuar PP-në si peng të së djathtës ekstreme, e detyruar të bënte kompromis me Vox duke u bërë edhe më e djathtë për të garuar për  votat.

Mes zërave që dënuan ndalimin ishte kisha katolike që e përshkroi si një formë diskriminimi që nuk përputhej me të drejtën e lirisë së besimit, kurse Federata e Komuniteteve Hebreje të Spanjës tha për Europa Press se masa ishte “një regres serioz demokratik.”

Të hënën, një nga përfaqësuesit e qeverisë tha se këshilli në Jumilla kishte një muaj kohë për t’iu përgjigjur kërkesës së Madridit. Nëse nuk do ta bënte, qeveria do të shihte opsionet e tjera të  mundshme ligjore.

Ndalimi erdhi pas disa javësh trazirash në Torre-Pacheco, rreth 100 kilometra larg Jumilla ku grupe me shkopinj në duar dolën në rrugë për të gjuajtur persona me origjinë të huaj pas një sulmi ndaj një të moshuari.



Lexoni të gjitha në Bota Sot