Trajneri i korçarëve kërkon miqësore më të forta për fazën e përgatitjeve.
Skuadra korçare ndodhet në kulmin e fazës përgatitore dhe tashmë fokusi është te konsolidimi i plotë i ekipit për sezonin e ri.
Pas katër ndeshjeve miqësore, trajneri Ernest Gjoka dha një përmbledhje të parë për mediat lokale.
“Mund të them se këto takime na kanë shërbyer, duke na lejuar të kuptojmë disa nga kërkesat që kisha ndaj ekipit, por nuk mund të shohësh gjithçka në këto ndeshje,” – u shpreh Gjoka.
I pyetur për përbërjen aktuale të skuadrës dhe mundësinë e afrimeve të reja, trajneri theksoi: “Me futbollistët që kam në dispozicion jemi të kompletuar, por gjithçka varet nëse do të ketë lëvizje të tjera. Merkato është ende aktive dhe duhet parë se çfarë zhvillimesh do të sjellë.”
Përsa i përket kalendarit të ndeshjeve miqësore, Gjoka dëshiron sfida më të forta: “Do të ishte mirë të zhvillonim takime me ndonjë ekip të Superligës, por deri tani klubi është në kërkim.
Ka mundësi që gjatë kësaj jave të kemi zhvillime. Ndeshjet na duhen, dhe nëse nuk gjejmë ekip nga Superliga, do të shohim për ndonjë skuadër nga kategoritë më të ulëta.”
Skuadra korçare vijon përgatitjet me synimin për të qenë në formën optimale në startin e sezonit, ndërsa sytë mbeten nga merkatoja dhe testet e ardhshme miqësore.