Evertoni ka konfirmuar transferimin e mesfushorit ofensiv Jack Grealish nga Manchester City, në formë huazimi për sezonin 2025-2026.
29-vjeçari anglez, i cili do të mbajë fanellën me numrin 18, vjen në “Goodison Park” si një fitues serial, me tri tituj të Ligës Premier, dy Kupa FA, një Ligë të Kampionëve, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube gjatë periudhës së tij te City.
Ky është nënshkrimi i gjashtë i Evertonit në merkaton verore, pas afrimeve të Charly Alcaraz, Thierno Barry, Mark Travers, Adam Aznou dhe Kiernan Dewsbury-Hall.
Duke folur për “everton.tv”, Grealish shprehu entuziazmin për këtë kapitull të ri të karrierës së tij: “Jam shumë i lumtur që kam nënshkruar për Everton. Është shumë e rëndësishme për mua, sinqerisht. Ky është një klub i shkëlqyer, me tifozë të shkëlqyer”.
Ai shtoi se biseda me trajnerin David Moyes ishte vendimtare për zgjedhjen e tij: “Sapo fola me trajnerin, e dija që kishte vetëm një vend ku doja të shkoja. Në rrjetet sociale kam marrë shumë mesazhe nga mbështetësit e Evertonit, dhe kjo ishte një arsye tjetër pse zgjodha të vij këtu”.
Grealish gjithashtu pati një mesazh falënderimi për tifozët: “Dua t’u them faleminderit për të gjitha mesazhet që kam marrë deri më tani. Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen. Shpresoj t’jua shpërblej në fushë, dhe jam i sigurt se do ta bëj”.