Totaj lë jashtë Kryesuesen, por fut në listë “drejtoreshën e zarfit” të Haskukës

- Gazeta e Prizrenit

Totaj lë jashtë Kryesuesen, por fut në listë “drejtoreshën e zarfit” të Haskukës

Në listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal të Prizrenit, që PDK ka publikuar për zgjedhjet lokale të tetorit, bien në sy tri mungesa dhe një përfshirje e pazakontë.

Kryetari i degës së PDK-së, Shaqir Totaj, ka lënë jashtë listës tri figura me peshë politike dhe institucionale: Kryesuesen aktuale të Kuvendit Komunal, Antigona Bytyçin ( e para grua në këtë pozitë ), Dafina Bllaca – një zë aktiv dhe konsistent në Asamble, si dhe Kastriot Xhemshit Krasniqin, një person që ka tërhequr vota.

Totaj ndërkaq zgjodhi të përfshijë në listë mësuesen Lendita Bllaca, e njohur në opinion si “drejtoresha e zarfit” . Ajo ishte emëruar në gusht 2020 si ushtruese detyre në shkollën “Lekë Dukagjini”, nga ish-kryetari Mytaher Haskuka, përmes një vendimi të diskutueshëmshkaktoi valë kritikash dhe tensione politike, veçanërisht pasi Haskuka me vendim selektiv kishte larguar gjashtë drejtorë shkollash të PDK-së nga pozitat e tyre.

Kjo përzgjedhje e Totajt ngjall dyshime serioze për drejtimin politik që ka marrë dega e PDK-së në Prizren, veçanërisht kur dihet se gjatë mandatit të tij si kryetar komune, Totaj nuk e ka mbështetur më tej Bllacën, duke e zëvendësuar me një drejtoreshë tjetër, pa ndonjë kontribut të njohur menaxherial dhe madje jashtë kolektivit të shkollës ku Bllaca ka punuar.

A është ky një rikthim i “zarfit politik”?

Veprimi i Totajt, për të përfshirë një figurë që dikur ishte simbol i praktikave të emërimeve jo meritore, të cilat vetë PDK i kishte kritikuar, ngre pikëpyetje serioze për koherencën politike të degës.

Në anën tjetër, vetë Haskuka duhet ta lexojë me kujdes këtë zhvillim. Njëra nga figurat që dikur i solli atij kritika të ashpra nga opozita, sot rreshtohet në krahun e kundërt politik, pranë Totajt. A është ky një reflektim i mungesës së bindjes politike apo thjesht një shenjë e përpjekjeve për mbijetesë në prag pensioni ?! Këtu del pikëpyetja: A ishte Bllaca njeri i “Shaqës” te “Myta” apo tash ka rol të kundërt ?

Çfarë mesazhi përçohet tek nxënësit dhe kolegët ?

Ndërrimi i shpeshtë dhe afatshkurtër i taborëve politik nga ana e një mësuese  në fund të karrierës ngre edhe një debat etik: çfarë mesazhi u përcillet nxënësve dhe kolegëve për vlerat e qëndrueshmërisë dhe parimeve të personalitetit tek gjeneratat e reja ?!!!

Totaj në panik?

Në analizë të fundit, përfshirja e Bllacës në listë mund të lexohet si një shenjë frike nga humbja. Totaj e njeh realitetin politik: në zgjedhjet e kaluara qendrore ( në shkurt ), ku Vetëvendosje e mundi PDK-në jo vetëm në qytetin e Prizrenit, pavarësisht se Kryetari me suitën e tij vetë-lavdërohen për suksese, por edhe në bastionet tradicionale të partisë, madje në vendlindjen e vetë Totajt, në Gjonaj të Hasit,  duke e renditur PDK-në në vendin e tretë pas VV-së dhe LDK-së.

Në këtë kontekst, përfshirja e një figure të diskutueshme mund të shihet si një përpjekje e dëshpëruar për të kapur çdo mundësi, njësoj si dikush që po mbytet në ujë e shpreson të shpëtojë duke u kapur për një fije kashte. / Gazeta e Prizrenit /

Lexo edhe:

“Penallti” për opozitën në Prizren



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit