Finalja e Superkupës së Europës, PSG me probleme sfidon Tottenhamin

- Bota Sot

Finalja e Superkupës së Europës, PSG me probleme sfidon Tottenhamin

Mbrëmjen e sotme, Bluenergy Stadium në Udine do të shndërrohet në kryeqytetin e futbollit ndërkombëtar, teksa Paris Saint-Germain dhe Tottenham Hotspur do të përballen për Superkupën Evropiane.

Përballë njëra-tjetrës do të jenë fituesit e Champions League dhe ata të Europa League, për trofeun e parë ndërkombëtar të sezonit 2025/26.

Skuadra e Luis Enrique-s kërkon ta mbyllë verën me një tjetër sukses, por situata nuk është e qetë. Portieri italian Gianluigi Donnarumma jo vetëm që nuk është thirrur për këtë ndeshje, por është përjashtuar nga ekipi dhe është në listën e shitjeve. Polemika të tjera kanë shpërthyer edhe pas përplasjeve mes Dembélé dhe Hakimit lidhur me çmimin “Topi i Artë”. Megjithatë, nëse arrijnë të përqendrohen vetëm në lojë, parizienët mbeten favoritë të mëdhenj.

Nga ana tjetër, Tottenham kërkon të vazhdojë euforinë e triumfit të 21 majit, kur fitoi Europa League në Bilbao ndaj Manchester United falë golit të Johnson. Ndryshimet janë të mëdha te “Spurs” në stol është trajneri i ri Thomas Frank, pas largimit të Postecoglou, ndërsa mungon ikona koreane Heung-min Son, që pas 10 vitesh në klub u transferua në Los Angeles.

Në fushë pritet të debutojnë dy përforcime të rëndësishme, Mohammed Kudus dhe João Palhinha, ndërsa Udogie është në dyshim për shkak dëmtimi.

Te PSG, mungesa e vetme e madhe është ajo e Donnarumma-s, të cilin do ta zëvendësojë portieri i sapoardhur Lucas Chevalier. Mbrojtësi Zabarnyi, i prezantuar pak ditë më parë, pritet ta nisë nga stoli, ndërsa Pacho do të luajë përkrah Marquinhos-it. Zaire-Emery mund të surprizojë si titullar në vend të Joao Neves.

Ndeshja do të nisë në orën 21:00, me një atmosferë të veçantë në Udine, ku do të vendoset kush do të ngrejë lart trofeun e parë madhor të sezonit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot