Afati kalimtar veror është në kulmin e saj dhe Milani, nën drejtimin e drejtorit të ri sportiv Igli Tare dhe trajnerit Massimiliano Allegri, po lëviz me vendosmëri për të forcuar skuadrën.
Një nga emrat më të përfolur për repartin defensiv është ai i Berat Gjimshitit, qendërmbrojtësit të Atalantës, interesim që është konfirmuar edhe nga gazetari i njohur i merkatos, Nicolo Schira.
Tare, i njohur për aftësinë e tij në zbulimin e talenteve dhe ndërtimin e skuadrave konkurruese, e sheh Gjimshiti, si një profil që përputhet plotësisht me filozofinë e Milanit të ri.
Mbrojtësi 31-vjeçar ka vite eksperiencë në Serie A dhe është bërë një shtyllë e prapavijës së Atalantës. Ai mund të luajë si qendërmbrojtës në një mbrojtje me katër ose si në një mbrojtje me tre, fleksibilitet që i pëlqen shumë Allegrit.
Gjimshiti njihet për fizikun e tij të fortë, aftësinë në duele ajrore dhe vendosjen e saktë në fushë. Edhe pse nuk është ndër më të shpejtët, inteligjenca taktike dhe leximi i lojës e bëjnë të vështirë për t’u mposhtur.
Marrëveshja nuk pritet të jetë e lehtë, pasi Atalanta e vlerëson lartë lojtarin që ka kontratë deri në vitin 2026. Megjithatë, dëshira e mbrojtësit për të veshur fanellën kuqezi dhe për të punuar me Allegrin mund të jetë një faktor vendimtar.