Në fundjavë fillon edicioni i ri në Landesliga-s!
Skuadra e Kosovës së Dusseldorfit është gati për sfidat e reja dhe me synime të qarta, kreun e tabelës.
Edicionin që e lamë pas, për një fije të flokut nuk arritën të hyjnë në Oberliga që do të ishte suksesi më i madh për një klub shqiptar në shtetin gjerman.
Bujar Neziri, president i FC Kosova, tha se janë gati për edicionin e ri dhe për ndeshjen e javës së parë ku si vendas e presin rivalin lokal, TuRU Dusseldorf.
"Synojmë kreun e tabelës, hyrjen në Oberliga.
T’i shohim ndeshjet e para, nëse shohim se jemi mirë në sezonin vjeshtor, atëherë ndoshta do të marrim përforcime për sezonin pranveror”, tha Neziri për gazetën kombëtare “Bota sot”.
Neziri mendon se në bazë të përforcimeve që kanë bërë deri me tash do të jenë kandidat për kreun e tabelës:
“Momentalisht kemi marrë përforcime të mira. Më shumë gjasë do të jemi kandidat i fuqishëm për Oberliga”.
Sa i përket derbit të fundjavës që do të ndeshen me TuRU Dusseldorf, Neziri shpreh optimizmin: “Gjithmonë krijon kureshtje për shkak se është derbi lokal, me një klub që ka traditë 100 vjeçare.
Jemi klube që garojnë në Landesliga, ne jemi më të mirë në renditjen tabelare.
Ne jemi klubi më i shikuar nga klubet tjera.
Pritet lojë interesante si gjithmonë sepse derbit janë derbi, ku ka edhe shikueshmëri. Shpresoj këtë lojë të fitojmë. Të startojmë sa më mirë në kampionat”.