Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së Donald Trump ka thënë se Ukraina duhet të përfshihet në bisedimet për territorin si pjesë e çdo marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë.
Deklarata e Macron është treguesi i parë i rezultatit të bisedimeve midis Trump, udhëheqësve evropianë dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që synojnë formësimin e takimit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska të premten, për të diskutuar se si ti japin fund luftës.
Këmbëngulja e Trump për përfshirjen e Ukrainës, nëse konfirmohet, mund të nënkuptojë njëfarë lehtësimi për Ukrainën dhe aleatët e saj, të cilët kanë pasur frikë se Trump dhe Putin mund të arrijnë një marrëveshje në kurriz të interesave të sigurisë evropiane dhe ukrainase dhe kjo do të copëtonte territorin ukrainas.
Trump më parë tha se të dyja palët do të duhet të bien dakord për një shkëmbim të caktuar territori për ti dhënë fund një lufte që ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona.
Evropianët kanë frikë se një shkëmbim territori mund ti japë Rusisë pothuajse një të pestën e Ukrainës dhe të inkurajojë Putin të zgjerohet më tej në perëndim në të ardhmen, raporton KosovaPress.