Trajneri i FCSB, Elias Charalambous, ka paralajmëruar një paraqitje të fortë kundër Dritës në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë kualifikues në Europa League.
Pas fitores 3-2 në Bukuresht, skuadra rumune vjen në Prishtinë me synimin për të shënuar dhe jo vetëm për t’u mbrojtur.
“Presim një ndeshje të fortë kundër ekipit të organizuar.
Ndeshja është 50 me 50. Duhet të shënojmë gol, nuk kemi ardhur të mbrohemi. E kemi analizuar takimin e parë për të përmirësuar gabimet tona”, tha trajneri qipriot në konferencën për shtyp.
Charalambous vlerësoi mikpritjen në Kosovë, duke thënë se që nga momenti i mbërritjes ka hasur vetëm dashamirësi. “Gjithçka po ecën mirë, vendi duket shumë i përparuar. Kam përshtypje fantastike”, shtoi ai.
Ai foli edhe për lojtarët shqiptarë në kampionatin rumun, duke theksuar se aktualisht nuk ka në mend ndonjë futbollist të Dritës, por nuk e përjashtoi një gjë të tillë në të ardhmen.
Trajneri i FCSB tha se ekipi i tij ka vetëbesim dhe përvojë për të përballuar situata të vështira. “Jemi klub i madh dhe kemi treguar se mund të bëjmë gjëra të mëdha. Duhet të jemi shumë të fokusuar sepse na pret ndeshje e fortë”, theksoi ai.
Charalambous u shpreh se nuk i krahason skuadrat mes tyre, duke theksuar se çdo ekip ka stilin e vet, por për FCSB-në më e rëndësishmja është të tregojë seriozitet dhe nivel të lartë loje.