Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, është shfaqur sot para mediave për të prezantuar ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës kundër Hajduk Splitit.
Tekniku i bluve ka theksuar se do të jetë një ndeshje më e vështirë se ajo në Kroaci, pasi ekipit të tij i duhej tashmë medoemos që të shënonte për të mbajtur gjallë shanset e kualifikimit.
“Është një ndeshje më e vështirë se e para në Split. Arsyeja është se e nisim në disavantazh. Duhet të shkojmë drejt golit, por është shumë e vështirë. Ata kanë një skuadër të fortë, për këtë ka meritë stafi teknik, por kanë edhe individë të mirë.
Ne duhet të jemi të ekuilibruar në lojë. Sigurisht, nuk do të futemi të dorëzuar në fushë. Jemi përgatitur për kohën që kemi pasur në dispozicion. Janë 2-3 lojtarë që kanë pasur shqetësime dhe janë në pikëpyetje për ndeshjen e nesërme.
Ne do të besojmë për të realizuar ëndrrën tonë.
Nuk do të jemi aq agresivë, duke parë drejt sulmit. Duhet të luftojmë fort dhe të jemi të kujdesshëm, duke mos menduar kur do të vijë goli, sepse goli mund të vijë edhe në fund. Duhet të jemi bllok si ekip.
Ndeshja në Tiranë? Dinamo ka qenë dhe është e Tiranës. Stadiumi është krenari për ne që e kemi. Por nesër jemi të barabartë me Hajdukun, sepse sezonin e kaluar kemi bërë vetëm një ndeshje këtu. Janë të mirëpritur tifozët të na mbështesin për të arritur objektivin.
Dua të falënderoj dhe ekipin kroat për pritjen shumë të ngrohtë në Split dhe uroj që edhe nesër të jetë diçka e bukur”, tha ndër të tjera trajneri i Dinamos para mediave.