Real Madrid ka bërë 4 transferime të bujshme këtë verë dhe njëri prej tyre është ai i Franco Mastantuono nga River Plate, për të cilin u pagua mbi 60 milionë euro. Ditën e nesërme që talenti argjentinas mbush 18 vjeç, do të bëhet prezantimi i tij zyrtar te klubi madrilen, në mesditë.
Mediat spanjolle kanë zbuluar sot një prapaskenë të veçantë.
Klubi madrilen ka vendosur të regjistrojë Franco Mastantuonon tek ekipi i dytë, Real Madrid Castilla, në mënyrë që të lërë një vend të lirë në skuadrën kryesore në rast të ndonjë transferimi të mundshëm deri në fund të merkatos.
Regjistrimi i tij te Real Madrid Castilla nuk do të thotë që ai nuk do ketë shanse të luajë për ekipin e parë, por e gjithë kjo është një zgjedhje strategjike e klubit madrilen, që mesa duket pret të bëjë dhe një përforcim të fundit në këtë merkato.
Franco Mastantuono do ketë mundësinë të luajë në të dyja ekipet këtë sezon, por sigurisht që ai do jetë pjesë e ekipit të parë të Real Madrid, duke ditur cilësitë e djaloshit argjentinas dhe pritshmëritë e mëdha ndaj tij.