Kontakti i parë

- Bota Sot

Kontakti i parë

Pa u shuar ende zhurma e largimit të tij nga PSG, Gianluigi Donnarumma tashmë ka një pretendues të madh për shërbimet e tij.

Portieri italian, i shpallur si më i miri në botë sezonin e kaluar dhe protagonist i suksesit historik të parizienëve, mund të nisë një kapitull të ri në Premier League, nën drejtimin e Pep Guardiolës.

Sipas raportimeve nga Italia, mes Donnarumma-s dhe trajnerit të Manchester City-t është zhvilluar një kontakt i parë, me synimin që “gardiani” i kombëtares italiane të transferohet në “Etihad”.

Për momentin, negociata mes dy klubeve nuk ka nisur ende, por ky hap shihet si një sinjal serioz për interesin e kampionëve të Anglisë.

Situata e Donnarummas te PSG është bërë e ftohtë pas mbërritjes së portierit Lucas Chevalier.

Pas triumfit në Superkupën e Europës, Luis Enrique zgjodhi të lavdërojë vetëm portierin e ri, duke e lënë jashtë vëmendjes ish-numrin një, kontrata e të cilit skadon në vitin 2026.

I vetmi që publikisht e përmendi Gigio-n ishte kapiteni Marquinho-s: “E duam shumë Gigion”, tha shkurt mbrojtësi brazilian.

Ndërkohë, Guardiola duket se ka bërë hapin e parë për ta bindur.

Nëse kontakti mes tyre konfirmohet, ai mund të jetë preludi i një transferimi të madh, për të cilin PSG mund të hapë bisedimet për të shmangur humbjen e tij me parametra zero verën e ardhshme.



Lexoni të gjitha në Bota Sot