Në pritje për të kuptuar nëse do të ketë marrëveshje për Kolo Muani, Juventusi po punon paralelisht edhe për përforcimin e mesfushës dhe duket se ka arritur në një pikë vendimtare për Matt O’Riley.
Drejtori Comolli raportohet se ka marrë tashmë “po”-në nga lojtari, pasi i ka paraqitur një draft-kontratë agjentëve të tij. Tani, torinezët duhet të gjejnë akordin me Brightonin, që e bleu mesfushorin për 25 milionë euro. Formula që po diskutohet është huazim me detyrim blerjeje.
Përpara se të mbyllet marrëveshja, Juventusi duhet t’i bëjë vend O’Riley-t në një skuadër që aktualisht ka shumë elementë në mesfushë. Emri kryesor që mund të largohet është Douglas Luiz.
Mesfushori brazilian, që shënoi edhe në miqësoren e brendshme ndaj Next Gen, po provohet nga trajneri Tudor në role të ndryshme, por dihet se është prej kohësh në merkato. Problemi? Deri tani nuk ka pasur oferta konkrete për të dhe koha po mbaron.
Një tjetër mundësi për të arkëtuar është shitja e Fabio Mirettit, por shumat që qarkullojnë për mesfushorin e rritur në akademinë e klubit nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar koston e operacionit O’Riley. Ai po pret lajme nga “Continassa” dhe i ka dhënë përparësi kalimit te Zonja e Vjetër, por nuk është i gatshëm të presë përgjithmonë..