Torino dhe Napoli janë futur në garë për të rikthyer Eljif Elmas-in, sulmuesin e Maqedonisë së Veriut që ka lënë gjurmë të mira si në Torino, ashtu edhe në Napoli, ku fitoi titullin kampion.
Sipas La Stampa, të dy klubet kanë marrë të njëjtën përgjigje nga Leipzig: lojtari mund të largohet vetëm me transferim të përhershëm dhe jo në huazim, siç kishin parashikuar granata dhe azzurri. Për situatën, palët do të rikthehen në bisedime pas datës 20 gusht.
Presidenti Urbano Cairo synon një përforcim cilësor edhe në mesfushë dhe drejtori sportiv Vagnati e ka identifikuar Kristjan Asllanin si njeriun e duhur për t’i dhënë ekuilibër dhe harmoni skuadrës, e cila deri më tani ka pasur mungesë lidhjeje mes reparteve.
Inter kërkon 15 milionë euro për kartonin e mesfushorit shqiptar, por një marrëveshje me një shifër më të ulët, duke garantuar një përqindje të lartë nga një shitje e ardhshme, mund të hapë rrugën e transferimit. Ndërkohë, për Asllanin vazhdon të ushtrojë presion edhe Bologna.